Trump nderon Charlie Kirk dhe paralajmëron luftë ndaj ekstremizmit të majtë
Presidenti Donald Trump i dha të martën Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimin më të lartë civil të Shteteve të Bashkuara, aktivistit konservator të vrarë Charlie Kirk, duke e quajtur atë “një luftëtar të patrembur për liri” gjatë një ceremonie në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë.
“Sot jemi këtu për të nderuar dhe kujtuar një udhëheqës të dashur që motivoi brezin e ardhshëm si askush tjetër,” deklaroi Trump gjatë fjalës së tij përpara zyrtarëve dhe mbështetësve të pranishëm.
Kirk, themelues i organizatës Turning Point USA, u vra më 10 shtator gjatë një fjalimi në Universitetin e Utah-ut, në një ngjarje që tronditi kombin dhe ndezi debatet për dhunën politike në vend.
Vrasja e tij është kthyer në një simbol për kampin republikan dhe një pikë mobilizimi për presidentin Trump, i cili nuk ka lënë menjanë frymëzuesit e këtij akti, organizatat e krahut të majtë në SHBA.
Administrata e tij ka përfshirë në këtë fushatë disa agjenci federale, përfshirë FBI-në, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe IRS-në, me qëllim hetimin dhe ndërprerjen e grupeve të dyshuara për financimin e dhunës politike.
Ndërkohë, Trump ka minimizuar rolin e grupeve të djathta ekstreme, duke këmbëngulur se dhuna politike është kryesisht një fenomen i lidhur me të majtën.
Në ceremoninë e së martës morën pjesë figura të njohura republikane, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e shtetit Marco Rubio, si dhe senatorët Ted Cruz, Mike Lee, Rick Scott dhe kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson.
Kirk, i njohur për qëndrimet e tij kundër “kulturës progresive”, kishte luajtur një rol kyç në mobilizimin e të rinjve për fushatën presidenciale të Trump për vitin 2024.
Përkrahësit e konsiderojnë atë një kampion të lirisë së fjalës.
Që pas vdekjes së tij, Trump e ka cilësuar Kirk-un si një “martir për lirinë amerikane”.
Kongresi amerikan ka miratuar rezoluta që shpallin 14 tetorin si “Ditë Kombëtare Përkujtimore për Charlie Kirk”, ndërsa presidenti nënshkroi një shpallje të veçantë duke e bërë këtë ditë zyrtare në kalendarin kombëtar.