VIDEO/ Serbia nuk bën blof në Andorrë, tani Shqipëria e detyruar të fitojë me vendin e fundit të Grupit K
Serbia ka marrë një fitore të rëndësishme në fushën e Andorrës, duke triumfuar me rezultatin 3-1 në ndeshjen e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026. Ky rezultat e vë Kombëtaren shqiptare përpara një detyrimi të qartë: fitore me çdo kusht në nëntor ndaj Andorrës, për të ruajtur pozitën e dytë në grup dhe për të mbajtur gjallë ëndrrën e play off-it.
Andorra kaloi e para në avantazh në minutën e 17-të, kur Guillaume Lopez shfrytëzoi një top të kthyer dhe goditi fort nga distanca, duke dërguar topin në rrjetë për 1-0. Reagimi serb ishte i menjëhershëm: vetëm dy minuta më vonë, Christian Garcia shkaktoi autogol pas një topi të ardhur nga goditja e këndit, duke barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë, Serbia mori kontrollin e lojës. Në minutën e 54-t, Dusan Vlahovic shënoi me një goditje të saktë me kokë pas krosimit të Filip Kostic, duke përmbysur rezultatin në 2-1.
Fitorja u vulos në minutën e 77-të nga Aleksandar Mitrovic, i cili realizoi nga penalltia, megjithëse portieri Iker Alvarez arriti ta prekte topin.
Pas këtij rezultati, Serbia i afrohet Shqipërisë në renditje me vetëm një pikë më pak se kuqezinjtë.
Anglia, falë fitores së thellë 5-0 në fushën e Letonisë, shkon në kuotën e 18 pikëve pas gjashtë ndeshjesh.