Armando Broja: Kam parë ëndrra të bukura me Botëror, gjithçka po shkon në rrugën e duhur
Pas fitores bindëse 4-2 ndaj Jordanisë në “Air Albania”, Armando Broja ka folur me buzëqeshje dhe qetësi, duke reflektuar mbi momentin e mirë që po kalon Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi kuqezi, autor i një goli të mrekullueshëm në këtë sfidë, tregoi emocionet e tij dhe disa detaje nga jeta jashtë fushës.
“Mami dhe e dashura, këto kam telefonuar të parat pas fitores me Serbinë”, u shpreh Broja me sinqeritet. “Nuk është se kam ndonjë ritual si lojtarët e tjerë. Para ndeshjeve thjesht dëgjoj muzikë, përqendrohem dhe përgatitem në mënyrën time.”
“Ylli” i sulmit kuqezi shtoi se po e sheh me shumë besim rrugën drejt ëndrrës së madhe të Botërorit 2026:
“Kam parë ëndrra të bukura me Botëror. Kemi filluar me këmbën e djathtë dhe me përqendrim të plotë. Tani çdo ndeshje është si një hap drejt asaj ëndrre që duam të gjithë.”
Broja, i cili po rikthehet në formën e tij më të mirë, është bërë simbol i entuziazmit dhe ambicies që po karakterizon këtë brez të artë të Kombëtares shqiptare.