Moment historik për Elseid Hysajn, rekordmeni i Kombëtares nderohet pas fitores ndaj Jordanisë
Elseid Hysaj ka shkruar emrin me gërma të arta në historinë e Kombëtares shqiptare, duke u bërë lojtari me më shumë paraqitje në fanellën kuqezi. Mbrojtësi nga Shkodra regjistroi mbrëmjen e djeshme ndeshjen e tij të 94-t me Shqipërinë, duke kaluar çdo futbollist tjetër që ka përfaqësuar vendin tonë.
31-vjeçari u aktivizua në minutën e 77-të të miqësores kundër Jordanisë, një moment që u shoqërua me duartrokitje dhe emocion të veçantë si nga tifozët, ashtu edhe nga bashkëlojtarët.
Në përfundim të ndeshjes, të cilën Shqipëria e fitoi me rezultatin bindës 4-2, skuadra dhe stafi teknik i rezervuan Hysajt një ceremoni të veçantë në fushë. Ai mbante veshur fanellën simbolike me numrin 94, ndërsa shokët e ekipit e përqafuan mes ovacioneve dhe urimeve për këtë arritje historike.
“Momenti më i rëndësishëm i jetës sime. Shumë i kënaqur me lojë. Moment shumë i bukur. Emocione që do i mbajë brenda zemrës.
Po më vjen momenti edhe mua të jem veteran. Emocion i njëjtë sikur të jesh fëmijë. Unë gjithmonë do përpiqem sa më shumë. Kur ta shoh se mund të jap më do e lë radhën, por është shumë herët”.
Ky moment shënon jo vetëm një rekord personal për Hysajn, por edhe një dëshmi të përkushtimit, profesionalizmit dhe vazhdimësisë së një prej figurave më të rëndësishme të Kombëtares shqiptare në dekadën e fundit.