Ja pse ‘hetimi paraprak’ i ‘afërmendshit’ Dumani është praktika më e ndyrë në drejtësi
Kur disa nga organizatat ndërkombëtare si ‘Fair Trials’, ‘Human Rights Watch’ apo ‘Amnesty International’ hetuan për gjyqësorin në vende si Shqipëria, kuptuan se ekzistonte një metodë e ndyrë për të abuzuar me drejtësinë.
Bëhej fjalë për termin ‘hetim paraprak’.
Florian Bieber, një studiues i njohur i Ballkanit, thotë se sistemet e drejtësisë në rajonin tonë shpesh përdorin hetimin paraprak si një mënyrë për të mbajtur çështjet pezull dhe për të shmangur vendimmarrjen.
Nuk dihet nëse kishte të huaj në seancën dëgjimore të Altin Dumanit në Komisionin e Ligjeve të martën, por me siguri shumëkush do jetë habitur kur ka dëgjuar se sa shpesh u fsheh ai pas këtij termi.
Kur u pyet për çështjet më të nxehta ku shfaqet direkt ose indirekt emri i Edi Ramës, ai tha se hetimet janë në një fazë paraprake edhe pse kanë kaluar vite e vite.
Kështu tha për çështjen McGonigal, për Eco-Parkun, për Irenën me 5 mbiemra, etj.
Ishte një mënyrë e ndyrë për t’u thënë shqiptarëve se po bëjmë sikur po hetojmë, por nuk do hetojmë kurrë për ta.
Por ndërsa për çështjet ku preket Edi Rama, hetimi është paraprak, në ato çështje ku bëhet fjalë për armiqtë e Edi Ramës, brenda dhe jashtë partisë së tij, hetimi ka qenë i shpejtë dhe abuziv.
Nëse dikush që kupton pak nga mënyrat se si funksionon një drejtësi politike, do mjaftonte kjo gjuhë e Dumanit për ta mësuar se ‘hetimi paraprak’ i afërmendshit Dumani ishte një eufemizëm për të thënë se jemi të kapur dhe i shërbejmë vetëm një njeriu. Edi Ramës dhe interesave të tij.