Zjarr i madh në zonën e Hidrovorit në Novoselë, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme
Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mesditën e sotme në zonën e Hidrovorit në Novoselë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me bimësi dhe duke vënë në rrezik edhe zona të banuara.
Burime nga terreni bëjnë me dije për dyshime serioze se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, ndërsa përhapja e flakëve është ndihmuar nga era e fortë, duke e bërë ndërhyrjen të vështirë dhe duke shtuar rrezikun që situata të dilte jashtë kontrollit.
Forcat zjarrfikëse të Vlorës kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur punën për vënien nën kontroll të flakëve, por ndërhyrja po vështirësohet për shkak të terrenit të hapur dhe kushteve atmosferike.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë një informacion zyrtar për shkakun e zjarrit apo përmasat e dëmit.