Dumani thotë se Irena Gjokën po e hetojmë, por ndërkohë ajo vijon të kryejë detyrën në paligjshmëri
Teksa Kryeprokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ia pasoi topin e përgjegjësisë për hetimin e gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka, SPAK, drejtuesi i saj Altin Dumani konfirmoi nisjen e hetimeve për këtë magjistrate, lidhur me dënimin e saj në shtetin grek, dënim të cilin nuk e ka raportuar.
Ndërsa u pyet nga deputeti i PD, Gent Strazimiri për këtë gjyqtare dhe që hoqi paralelizëm me rastin e kreut të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, i cili u hetua dhe u dënua me vendim të formës së prerë, ligjvënësi demokrat tha se rasti i Irena Gjokës është i ngjashëm, i si i tillë gjyqtarja Gjoka vijon të japë drejtësi.
Deputeti i PD, Gent Strazimiri: Ka një dënim për Irena Gjokën. PP e referoi te ju, është materie e SPAK. SPAK i di dhe i ka këto informacione. Pse nuk veproni me që i keni të dhënat, për më tepër kur keni vepruar në kohë rekord për një koleg, Luan Daci? Është pranuar dhe prej saj shkarkimi dhe s’e ka shënuar në formular, rasti është identik me Luan Dacin e s’ka asnjë masë nga ana juaj, ndërsa vijon jep drejtësi?
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani: Është një pyetje për çështje konkrete, është në fazën e hetimit paraprak e s’japin informacion. Kemi një procedim penal të regjistruar në qershor 2025 dhe po kryejmë veprimet hetimore për këtë procedim. Rastri Luan Daci është bërë në bazë të kallëzimit të një qytetari, ka marrë kohën e vet dhe është dënuar.