Dosja McGonigal/ Dumani i bën bisht përgjigjes se ku është me hetimin: Po presim përgjigje nga jashtë

 

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, i ka bërë bisht sot pyetjes së drejtpërdrejta të deputetit të PD-së, Ivi Kaso, lidhur me ecurinë e hetimeve për dosjen e bujshme ‘McGonigal’, që përfshin ish-zyrtarin e FBI-së dhe lidhjet e tij me qeverinë shqiptare.

Dumani duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, si përherë, ka deklaruar se çështja ndodhet ende në fazën e hetimit paraprak dhe se në territorin shqiptar janë kryer një numër i madh veprimesh hetimore.

Megjithatë, ai pranoi se SPAK ende nuk ka përfunduar hetimin pasi po pret përgjigje nga autoritetet e huaja.

‘Rasti është në fazën e hetimit paraprak. Janë kryer një numër i madh veprimesh hetimore në territorin shqiptar, por jemi në pritje të përgjigjes nga autoritetet gjyqësore të huaja, të cilave u jemi drejtuar me kërkesë për ndihmë juridike,’ u shpreh Dumani.

Kreu i SPAK nuk dha asnjë afat apo detaj se kur pritet që hetimi të përmbyllet, duke lënë të hapur dyshimet për zvarritje të qëllimshme në një dosje që prek nivelet më të larta të qeverisë.

Deputeti demokrat Ivi Kaso i kërkoi Dumanit të sqarojë se çfarë është bërë konkretisht në këtë rast dhe nëse SPAK ka marrë në pyetje ndonjë zyrtar të lartë apo vetë kryeministrin Edi Rama, i cili përmendet në dokumentet amerikane si person që ka zhvilluar takime me McGonigal ndërkohë që ky i fundit ishte në detyrë në FBI.

Prej më shumë se një viti, SPAK nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për rezultatet konkrete të hetimit.