Shtohen problemet për Hansi Flick, Raphinha ende jashtë skuadrës
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, po përballet me një valë dëmtimesh që po e vështirësojnë gjithnjë e më shumë fillimin e sezonit. Pas lajmit të konfirmuar të hënën për mungesën e Dani Olmos, i cili vuan nga një dëmtim në muskujt e pulpës së këmbës së majtë, të martën u shtua edhe mungesa e Robert Lewandowsk-it, që ka pësuar një këputje të bicepsit femoral të këmbës së majtë. Të dy ‘yjet’ nuk do të jenë të gatshëm për ‘El Clásico-n’ e 26 tetorit kundër Real Madridit.
Këtyre mungesave u shtohen edhe ato të portierit Joan García dhe të mesfushorit Gavi, duke e bërë situatën e katalanasve edhe më të ndërlikuar.
Por lajmet e këqija nuk mbarojnë këtu. Sipas gazetës ‘AS’, Raphinha nuk do të mund të kthehet në kohë për ndeshjen e së shtunës kundër Girona-s dhe as për takimin e Ligës së Kampionëve kundër Olympiacos-it që zhvillohet të martën në Montjuïc. Sulmuesi brazilian po rikuperohet nga një dëmtim në bicepsin femoral të këmbës së djathtë dhe, megjithëse fillimisht pritej të ishte gati më 17 tetor, rikthimi i tij do të vonohet edhe disa ditë.
Në klub shpresojnë që ai të mund të jetë në stol për ‘El Clásico-n’, por gjithçka do të varet nga përparimi i tij në stërvitje gjatë ditëve të ardhshme.
Lajmi pozitiv për Flick është rikthimi i Ferran Torres, i cili u kthye të hënën në Barcelonë me një mbingarkesë muskulore, por pritet të luajë kundër Gironës. Po ashtu, Fermín López dhe Lamine Yamal janë stërvitur me grupin që nga e hëna dhe mund të marrin dritën jeshile këtë fundjavë.
Përballë Gironës, trajneri gjerman do të duhet të improvizojë një tjetër repart sulmues, me Ferran Torres në qendër të sulmit dhe Marcus Rashford e Roony Bardhgji në krahë. Një test i ri i vështirë për Flick, i cili po përpiqet të mbajë Barcelonën konkurruese në një moment delikat për nga mungesat dhe presioni.