Sekuestro për “Immobile Academy”, qendra sportive e Ciro Immobile-s nën hetim për abuzime ndërtimore

Autoritetet italiane kanë sekuestruar qendrën sportive “Immobile Academy – Centro sportivo Parlati” në Torre del Greco, themeluar nga sulmuesi i Bologna-s, Ciro Immobile. Operacioni u zhvillua nga Karabinierët dhe Policia Bashkiake, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga gjykata me kërkesë të Prokurorisë lokale.

Në kuadër të hetimit janë përfshirë gjashtë persona, të dyshuar për ndërtim pa leje në zonë të mbrojtur me kufizime mjedisore dhe për menaxhim të paligjshëm të mbetjeve ndërtimore. Hetimet nisën në prill të këtij viti, pas një inspektimi që zbuloi ndërhyrje të reja ndërtimore mbi një zonë ku më parë ishin konstatuar punime të paligjshme. Sipas akuzës, të dyshuarit do të kenë ndryshuar destinacionin urbanistik të një sipërfaqeje pyjore në zonë parkimi, duke përdorur materiale asfalti të ricikluar, të cilat klasifikohen si mbetje ndërtimore.

Ciro Immobile, i cili nuk është i përfshirë në hetim, reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale:

“Më vjen keq për lajmin e sekuestrimit të qendrës që mban emrin tim. Kjo më dhemb, sepse struktura u krijua për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve një vend ku të stërviten dhe të argëtohen. U besova profesionistëve më të mirë për ndërtimin e saj dhe shpresoj që hetimet të vërtetojnë ligjshmërinë e plotë të ndërhyrjeve.”

Pasojat e vendimit ndihen menjëherë: qendra “Immobile Academy” përdorej nga Sorrento Calcio, klub që luan në Serie C (Grupi C), si terren stërvitor dhe fushë ndeshjesh për grupmoshat e reja. Tani klubi mbetet pa infrastrukturë për stërvitje, pasi edhe stadiumi “Italia” i Sorrentos është në proces rikonstruksioni.

Presidenti i klubit, Giuseppe Cappiello, e përshkroi situatën si “shumë të ndërlikuar”, duke shtuar se po kërkohet me urgjencë një alternativë:

“Nuk është e lehtë të përballosh një tjetër pengesë logjistike, në një periudhë kur prej vitesh vuajmë mungesën e fushave të përshtatshme në zonën e Napolit dhe të gadishullit Sorrentin.”

Rasti ka tërhequr vëmendjen e gjerë publike, pasi prek një figurë të njohur të futbollit italian dhe nxjerr në pah mungesën e infrastrukturës sportive në rajonin napolitan.