Skandal në Komisionin e Ligjeve: Prokuroria nuk justifikon dot gjyqtaren e dënuar Irena Gjoka, e kalon topin tek SPAK
Një tjetër debat shpërtheu sot në Komisionin e Ligjeve, ku deputetët e Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, dhe Oerd Bylykbashi, referuan edhe njëherë përpara publikut se si Prokuroria e Përgjithshme dhe zyrtarët e saj po zvarrisin dhe fshehin rastin e gjyqtares Irena Gjoka, një gjyqtare e dënuar në Greqi, por që vazhdon të 'japë drejtësi' në Shqipëri.
Gjatë raportimit të Prokurorit të Përgjithshëm Olsian Çela, i shoqëruar nga Kostaq Beluri, Strazimiri iu referua dokumenteve zyrtare që vërtetojnë se dënimi i Gjokës në Gjykatën e Janinës është autentik dhe i njohur nga vetë organet shqiptare. Megjithatë, sipas tij, prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë hap ligjor për ta referuar çështjen tek KLGJ, ILD apo SPAK, duke i lejuar asaj të vazhdojë punën si gjyqtare.
“Pse nuk e keni referuar rastin? Ajo vazhdon të japë drejtësi ende sot, ndonëse është e dënuar jashtë vendit!” – pyeti Strazimiri, duke theksuar se ky është një akt i rëndë mosveprimi dhe mbulimi nga ana e institucioneve që duhet të garantojnë integritetin në drejtësi.
Në vend të një përgjigjeje të qartë, Kostaq Beluri u përpoq të justifikonte mosveprimin me “procesin e verifikimit të thelluar”, një procedurë që sipas tij “nuk ka përfunduar ende”. Në deklaratat e tij të paqarta, Beluri pranoi se dokumentet e dënimit ekzistojnë, por shtoi se “procesi është administrativ, jo penal”.
Ky argument u kundërshtua nga Strazimiri dhe Bylykbashi, të cilët theksuan se fakti i dënimit të një gjyqtareje është mjaftueshëm për ta përjashtuar menjëherë nga sistemi i drejtësisë.
“Ju keni marrë një denoncim konkret me prova për një fakt penal – falsifikim, fshehje dhe mashtrim në formularin e vetëdeklarimit ,” deklaroi Strazimiri.
Nga ana e tij, Bylykbashi shtoi se dënimi i Gjokës është një fakt i prerë që ligjërisht mbyll funksionin e saj si gjyqtare. “Ligji është i qartë: një gjyqtare e dënuar, me vendim të formës së prerë, duhet menjëherë të largohet nga detyra. Çdo vonesë është bashkëfajësi institucionale,” theksoi ai, duke akuzuar se sistemi i drejtësisë po e mbron një gjyqtare që “sa herë bie shorti, i bie gjithmonë për liderët e opozitës.”
Përpjekjet e Belurit për ta justifikuar heshtjen e prokurorisë me “letërporosi që s’kanë ardhur nga Ministria e Drejtësisë” interpretohen si manovra për të fituar kohë dhe për të fshehur përgjegjësinë.
Në këtë mënyrë, debati në Komisionin e Ligjeve ka shpalosur qartë një realitet alarmant: një gjyqtare e dënuar në një vend të BE-së vijon të mbajë togën, ndërsa prokuroria dhe institucionet përgjegjëse zvarrisin rastin dhe shmangin çdo veprim ligjor.
Rasti “Irena Gjoka” po kthehet në simbolin më të rëndë të kapjes së drejtësisë shqiptare, ku dënimet jashtë vendit, dokumentet autentike dhe provat e pakundërshtueshme nuk vlejnë përballë një sistemi që mbron vetveten dhe njerëzit e pushtetit.
Strazimiri:
Unë kam një letër këtu që i keni kthyer përgjigje Partisë Demokratike më 3 shtator 2025, me numër protokolli 183/65 për gjyqtaren Irena Gjoka, në të cilën konfirmoni që emërimi i saj në Gjykatën e Janinës është autentik, dënimi i saj, vendimi i dënimit që ka ardhur është autentik.
Përse nuk e keni referuar tek KLGJ, tek ILD apo tek organet e tjera më lart që të mund të marrin masa dhe ta shkarkojnë praktikisht? Ajo vazhdon jep ‘drejtësi ende sot’.
Kostaq Beluri:
Përgjigjja që keni është në kuadër të një kërkese për informacion që është bërë në kuadër të procesit të verifikimit të thelluar për subjektin në fjalë dhe të gjitha veprimet që po kryhen, po kryhen në kuadër të këtij procesi verifikimi të thelluar.
Në përfundim të procesit të verifikimit të thelluar ne vlerësojmë nëse ka vend për të bërë referim për të iniciuar një procedim penal apo jo. Nuk di sa isha i qartë.
Procesi i verifikimit të thelluar konsiston në atë që Prokuroria e Përgjithshme bën verifikimin e të gjitha deklarimeve të bëra nga subjekti në formularin e vetëdeklarimit. Në momentin që kemi bërë verifikimin e plotë të të gjitha vetëdeklarimeve në formular, ne e quajmë procesin të mbyllur dhe dalim me një vendim për verifikimin e thelluar.
Është proces administrativ, nuk është proces penal.
Strazimiri:
Ju keni marrë një denoncim konkret për një situatë konkrete në procesin e vetëdeklarimit, aty mund të ketë pasaktësi të tjera. Kërkuesi ju ka referuar me dokumenta, me prova faktikisht një fakt penal, falsifikim, fshehje në formular etj. me radhë. Pastaj se çfarë verifikime të tjera shikoni ju për t’u bërë, se çfarë interesi shihni, ajo është punë tjetër.
Në rastin konkret, kur keni vërtetuar se ka një dënim i cili na vjen si dokument autentik nga gjykata dhe kjo thotë që nuk jam e dënuar, këtë përse nuk e çoni? Është mëse e mjaftueshme që të ngrihet një komision disiplinor dhe të vendosë nëse është kjo e denjë apo s’është kjo e denjë për të vazhduar detyrën.
Beluri:
Verifikimi i thelluar presupozon verifikimin e të gjitha deklarimeve të bëra në formular. Ai vendim gjyqësor lidhet vetëm me një pyetje të bërë në kreun 3 të formularit. Unë duhet t’i mbyll të gjitha verifikimet e formularit për të thënë që e bëra verifikimin e thelluar dhe t’i kthej përgjigje institucionit kërkues për këtë proces.
Për ta mbyllur si debat, se kjo është pjesë proceduriale, të gjitha aktet e procesit të verifikimit të thelluar i ka administruar edhe SPAK, të interesuar për atë që ju po pretendoni.
Strazimiri:
Edhe nëqoftëse do të hapej një proces penal, zonja është subjekt i SPAK, nuk është i prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm?
Beluri:
Patjetër që është subjekt i SPAK.
Strazimiri:
Në shkresën që i keni dërguar PD-së, ju thoni se vazhdoni të prisni në mënyrë të përsëritur përgjigjen e një shkrese numër 183/58, që ia dërgoni vazhdimisht Ministrisë së Drejtësisë dhe nuk merrni përgjigje. Për çfarë bëhet fjalë?
Beluri:
Unë i drejtohem Ministrisë së Drejtësisë për çdo kërkesë. Me letërporosi marrim informacionin nëpërmjet autoriteteve gjyqësore e vendeve të tjera, dhe Ministrisë së Drejtësisë i jam drejtuar në disa raste në funksion të këtij verifikimi për të marrë ato që më interesojnë në funksion të verifikimit të dhënieve në formularin e vetëdeklarimit.
Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet e tjera gjyqësore nuk kanë qenë tërësisht të sakta dhe jemi detyruar të përsërisim kërkesat e mia për të dërguar një letërporosi tjetër. Në atë kuadër jemi.
Oerd Bylykbashi:
Ju e keni verifikuar, gjyqtarja tashmë rezulton e dënuar, më pas e ka deklaruar apo jo. Ai lloj dënimi mjafton për t’i përfunduar detyrën që ka apo jo, është krejt gjë tjetër. Në momentin që keni gjetur atë fakt që është e dënuar me vendim të formës së prerë në një shtet tjetër, ky fakt i referohet organit të kompetencës për largimin nga detyra.
Është ligji që e mbaron drejtpërdrejt funksionin. Momenti që ju dërgoni shkresën për këtë, mbaron funksioni i një gjyqtareje që sa herë bie shorti i bie pikërisht gjithmonë asaj për liderët e opozitës.