Kufijtë e 'Doktrinës Donroe'
Nga Rana Foroohar/
Për të kuptuar sa e vështirë është për SHBA-në të kalojë nga një botë e neoliberalizmit laissez-faire në një realitet ku kontrolli shtetëror mbi tregjet ka shumë më tepër rëndësi, mjafton të shikosh garën e madhe për ndikim që po ndodh aktualisht në Argjentinë.
Me peson në rënie të lirë pas një skandali korrupsioni në qeverinë e Javier Mileit (që është ideologjikisht e përafruar me administratën e Donald Trumpit), SHBA-ja po përpiqet të organizojë një paketë ndihme prej 20 miliardë dollarësh për vendin, me shpresën që ai të mbetet një aleat kyç rajonal. Të enjten e kaluar, Thesari Amerikan njoftoi se kishte blerë peso argjentinase për të mbështetur monedhën.
Por Kina, e cila ka një linjë shkëmbimi prej 18 miliardë dollarësh me Argjentinën, po ndërhyn me shpejtësi duke blerë sojën e lirë të vendit, me para që dikur do të kishin shkuar tek fermerët amerikanë, si pasojë e luftës tregtare SHBA-Kinë.
Ky është një lajm i keq politikisht për Shtëpinë e Bardhë. Shtetet bujqësore zakonisht drejtohen nga republikanët dhe fermerët janë një elektorat i vogël por shumë zëshëm në SHBA, ashtu si në Europë.
Luftërat tregtare të Trump-it kanë bërë që jo vetëm Kina, blerësi më i madh në botë i produkteve bujqësore amerikane, të reduktojë masivisht blerjet, por edhe që kostot e plehrave kimike dhe pajisjeve të jenë rritur. Kjo ka bërë që fermerët të ankohen se Trump po mbështet konkurrentët e tyre.
Si rrjedhojë, administrata ka të ngjarë të shpallë ndihma të reja për fermerët amerikanë në ditët në vijim. Republikanët besojnë se subvencionet mund të arrijnë deri në 50 miliardë dollarë, pas më shumë se 20 miliardëve që qeveria amerikane u pagoi fermerëve për dëmet e shkaktuara nga lufta e parë tregtare me Kinën në vitin 2018.
Ndërkohë, paketa e ndihmës për Argjentinën ndoshta nuk do të miratohet nëse qeveria e Mileit nuk shlyen më parë borxhin ndaj Kinës për linjën e saj të shkëmbimit valutor. Edhe pse kjo mund të jetë e zgjuar politikisht për SHBA-në, duke bërë që Kongresi të mos duket sikur po hedh para të mira pas të këqijave, "do t'i zvogëlonte efektivisht përmasat e ndihmës amerikane me 5 miliardë dollarë dhe, në fakt, do të përbënte një shpëtim për Bankën Popullore të Kinës", siç e shprehu ekonomisti Brad Setser në platformën X.
Mirë se vini në botën komplekse dhe të kushtueshme të gjeoekonomisë.
Tani SHBA-ja duket se po ndjek një "doktrinë Donroe", një version trumpian i besimit të presidentit të shekullit XIX, James Monroe, se Amerika duhet të qëndrojë jashtë punëve globale dhe të kujdeset vetëm për oborrin e saj.
Ky qëndrim u riafirmua nga Theodore Roosevelt dhe më vonë nga John F. Kennedy gjatë krizës së raketave në Kubë, para se të zëvendësohej në epokën e neoliberalizmit.
Tani, versioni i Trump-it i Doktrinës Monroe është shumë i dukshëm, ndërsa administrata po i jep fund një "zhvendosjeje disavjeçare drejt Azisë", për t'u përqendruar në hemisferat perëndimore dhe veriore.
Kina ka praktikuar formën e saj të gjeoekonomisë për më shumë se dy dekada. Ajo ka ndjekur një strategji afatgjatë dhe të fokusuar, e cila ka sjellë, ndër të tjera, suksesin në kontrollin e mineraleve të rralla. Eksportet e tyre janë kufizuar gjatë negociatave tregtare me SHBA-në. Dominimi në ndërtimin e anijeve dhe industrinë detare ka qenë një tjetër arritje gjeoekonomike (masat e administratës Trump për këtë, sipas nenit 301 të Ligjit Tregtar të SHBA-së, si dhe strategjia e re detare amerikane, mund të shpallen në javët e ardhshme).
Fuqia kineze nuk kufizohet vetëm në Azi apo rajonet përreth. Ajo është shumë e pranishme në oborrin e SHBA-së. Pekini ka rritur ndjeshëm investimet në Amerikën Latine gjatë viteve të fundit, duke ndërtuar, për shembull, portin më të madh në ujëra të thella në brigjet e Paqësorit të Perusë, si dhe duke investuar në përpunimin e mineraleve të papërpunuara në të gjithë rajonin.
Fakti që kinezët mund të zhvendosin në një kohë të shkurtër blerjet e sojës nga SHBA në Argjentinë është, siç shkroi eksperti i politikave të konkurrencës Matt Stoller në Substack-un e tij, "një shfaqje befasuese fuqie dhe disipline, dhe diçka që amerikanët e kanë të vështirë ta kuptojnë si të tillë."
Dyshoj se administrata amerikane e kupton këtë, prandaj është kaq e përqendruar tek paketa e ndihmës, si dhe tek nisma të tjera si aleancat e reja në sektorin detar. Javën e kaluar, SHBA-ja nënshkroi më në fund një memorandum mirëkuptimi me Finlandën për ndërtimin e 11 akullthyesve të rinj, katër prej të cilëve do të ndërtohen në Finlandë dhe shtatë në SHBA, si pjesë e përpjekjeve për të rritur praninë detare në Arktik.
"Kjo u nxit drejtpërdrejt nga vetë Trump," tha presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, me të cilin fola menjëherë pas nënshkrimit të memorandumit. "Arktiku është kyç [për Trump-in], si ekonomikisht ashtu edhe strategjikisht," shtoi ai.
Anijet e reja, e para prej të cilave do të ndërtohet deri në vitin 2028, do të ndihmojnë në forcimin e pranisë amerikane mes një gare të re gjeostrategjike në Veri të Lartë. Në fund të shtatorit, Norad (komanda kanadezo-amerikane përgjegjëse për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore të Amerikës së Veriut) ndërpreu avionë rusë në hapësirën ajrore të Alaskës. Kjo thekson rritjen e pranisë ruse dhe kineze në Arktik, ndërsa tregtia detare, operacionet e sigurisë dhe gara për burime natyrore po intensifikohen.
Pra, sa për një doktrinë parandaluese Donroe, e vërteta është se Kina dhe aleatët e saj janë tashmë në oborrin e Amerikës dhe, për ta mbajtur të sigurt, SHBA-ja do të duhet të bashkëpunojë dhe të mbështesë aleatët e saj. Siç na tregojnë gjithçka, nga ndërtimi i anijeve te "luftërat e sojës", nuk ka më ecje vetëm, edhe në një epokë më merkantiliste. / FT - Syri.net