Historia e debatueshme e pasaportës
Historia e pasaportës është e ndërlikuar. Sot, këto dokumente ndërkombëtare udhëtimi janë të pajisura me arritje të jashtëzakonshme të teknologjisë moderne, si mikroçipa, holograme, foto biometrike dhe barkode.
Por dikur, kalimi i kufijve ishte shumë më i thjeshtë, shpesh mjaftonte një premtim vullneti të mirë. Ja si udhëtimet e huaja u shndërruan në një sistem më kompleks sigurie me pasaporta dhe karta udhëtimi.
Origjina biblike e pasaportës
Rrënjët e pasaportës gjenden që në epokën biblike. Në Bibël, mbreti i Persisë i jep Nehemias letra për kalim të sigurt drejt mbretërisë së Judës. Letra të ngjashme mbanin edhe udhëtarët në Romën e lashtë dhe në Kinë. Shekuj më parë, leja për kalim të sigurt, sauf conduit, u krijua për t'i dhënë një armiku të drejtën për të hyrë e dalë nga një mbretëri për qëllime negociatash, shpjegon historiani Martin Lloyd në librin The Passport: The History of Man's Most Travelled Document.
Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një marrëveshje e shkruar, një lloj zotimi mes dy sundimtarëve se kalimi i kufirit nuk do të çonte në luftë.
Standardet moderne
Në fotografitë bardhezi dhe filmat e dridhshëm të fillimit të shekullit XX, shfaqet një imazh i SHBA-së me turma emigrantësh që mbërrijnë pa pushim. Shumica kalonin nëpër Ellis Island, ku u bëhej një kontroll i shpejtë mjekësor, disa pyetje, dhe më pas lejoheshin të vazhdonin rrugën. Kjo ndodhte në mungesë të një standardi global për dokumentet e identifikimit. Sot, me politikat e imigracionit në qendër të debateve botërore, është e vështirë të imagjinohet si udhëtohej atëherë pa to.
Gjithçka ndryshoi në vitin 1920, kur pas Luftës së Parë Botërore, Lidhja e Kombeve propozoi një standard ndërkombëtar për pasaportat, për të ndihmuar në ruajtjen e paqes. Një vit më pas, SHBA miratoi Aktin e Kuotës Emergjente (1921) dhe më vonë Ligjin e Imigracionit (1924), që kufizonin hyrjen e emigrantëve. Arsyeja? "Shumë të ardhur" nga vende që konsideroheshin kërcënim për idealin e hegjemonisë amerikane. Mënyra për t'i identifikuar? Me pasaportën e sapokrijuar.
Kritikët e pasaportës
E krijuar nga një organizatë perëndimore që kërkonte kontroll pas luftës, pasaporta u bë simbol lirie për disa dhe pengesë për të tjerët.
"Pasaporta është një lloj mburoje kur je qytetar i një demokracie të pasur," shpjegon Atossa Araxia Abrahamian, autore e The Cosmopolites: The Coming of the Global Citizen.
E lindur në Kanada, me shtetësi zvicerane dhe origjinë iraniane, ajo e sheh qytetarinë si një ndërtim artificial. "Nuk kam ndonjë lidhje emocionale me pasaportat e mia; i shoh si aksidente lindjeje dhe s'do të identifikohesha me asnjë kombësi po të mos duhej."
Ashtu si ajo, shumë kritikë të vendimit të vitit 1920 argumentuan se qëllimi nuk ishte një botë më demokratike për udhëtarët, por më shumë kontrolli. Në fillim të shekullit XX, gratë e martuara amerikane ishin vetëm një shënim në pasaportat e burrave të tyre dhe nuk mund të kalonin kufirin vetëm, ndryshe nga burrat.
Disa vende e panë pasaportën si mjet dominimi perëndimor dhe u shprehën kundër. Por siç shpjegon Mark Salter në Rights of Passage: The Passport in International Relations, asnjë shtet nuk mund të hiqte dorë prej saj nëse të tjerët nuk e bënin. Kjo dilemë e përhershme u reflektua edhe në letërsinë e udhëtimeve të shekullit XX, te autorë si Paul Bowles dhe Joan Didion. Askush nuk e pëlqente të kategorizohej e dehumanizohej brenda një pasaporte, por askush nuk mund të udhëtonte pa të.
Kompikime të reja
Në vitet e fundit, pasaporta është përballur me një krizë identiteti tipikisht moderne, duke u kthyer në një mall të lakmuar si pasuritë e patundshme apo arti. Përveç tregut të zi me pasaporta të falsifikuara, disa shtete kanë shitur në mënyrë legale qytetarinë e tyre për investitorë të pasur.
"Kur zbulova se ekzistonte një treg i ligjshëm për pasaporta, u vërtetua bindja ime se shtetësia është diçka arbitrare," thotë Abrahamian.
Në Maltë dhe Qipro, programet e ashtuquajtura "pasaporta të arta" u lejonin të huajve të pasur të blinin nënshtetësinë e BE-së kundrejt investimeve rreth një milion euro. Edhe pse këto programe janë ndaluar, vende të tjera si SHBA kanë ofruar versione të ngjashme si "gold card", që siguron leje qëndrimi e madje rrugë drejt shtetësisë për investitorët e huaj.
Ndërkohë, miliona njerëz në botë mbeten pa nënshtetësi, të privuar nga një pasaportë dhe nga liria e lëvizjes. Sipas Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, të paktën 4.4 milionë njerëz janë pa nënshtetësi, edhe pse shifra e vërtetë mund të jetë shumë më e lartë.
Në vitin 2024, Departamenti i Shtetit të SHBA-së raportoi 24.5 milionë pasaporta dhe karta të lëshuara, më shumë se dyfishi krahasuar me vitin 2020. Sot, faqet si Passport Index i rendisin pasaportat sipas "fuqisë" së tyre, ndërsa mediat shpallin çdo vit fituesit e "pasaportës më të mirë" apo "më të keqe".
Në një botë ku kufijtë po mbyllen gjithnjë e më shumë, mbetet për t'u reflektuar se sa arbitrare është në fakt pasaporta. Ajo mund të jetë një mburojë privilegji apo një barrë që të mban peng.
Historia e saj tregon se pasaporta nuk do të zhduket, por mënyra se si e konceptojmë atë duhet të ndryshojë bashkë me botën. / National Geographic - Syri.net