Çmimi për 'Gratë, Paqen dhe Sigurinë'/ Osmani falënderon Marcos Perestrello: Vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar dje me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello, ku shprehu falënderimet e saj për nominimin dhe vendimin e Asamblesë që ta nderojë me Çmimin për “Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.
Ky vlerësim, siç theksoi Presidentja, është një nderim jo vetëm për të personalisht, por për të gjitha gratë e Kosovës, të cilat kontribuojnë në promovimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit demokratik të vendit.
Gjatë takimit u diskutua edhe roli në rritje i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas avancimit të statusit të saj si anëtare e asociuar, një hap i rëndësishëm drejt integrimit euroatlantik.
Presidentja Osmani rikonfirmoi se Kosova do të shfrytëzojë këtë mundësi për të avancuar aspiratën e saj më të gjerë për anëtarësim në NATO, duke e konsideruar këtë si një prioritet të politikës së jashtme dhe një çështje thelbësore për sigurinë kombëtare.
Shkrimi i plotë:
Dje takova Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z. Marcos Perestrello.
E falenderova për nominimin e tij për Çmimin per ‘Gratë, Paqen dhe Sigurinë’ si dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare që të më ndajë këtë vlerësim, i cili njëkohësisht është edhe vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës.
Diskutuam për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit tonë në anëtare të asociuar - një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë euroatlantik.
Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare.