Gatuzo zbulon strategjinë e punës së tij tek Italia: Stërvitja është njësoj si ndeshja
Në prag të ndeshjes Itali–Izrael, trajneri i kombëtares Xhenaro Gatuzo foli me vendosmëri e qetësi për objektivin e radhës: sigurimin e biletës për fazën e playoff-it të Botërorit 2026.
Sfida do të luhet në stadiumin e Udines, ku pritet një prani prej mbi dhjetë mijë tifozësh.
“Duam të nxisim atmosferën, sepse kemi nevojë për tre pikë që të mos vëmë në rrezik rrugëtimin tonë”, tha Gatuzo.
Trajneri ndaloi edhe te tema njerëzore e ditës: armëpushimi në Lindjen e Mesme. “Jemi shumë të lumtur që njerëzit po kthehen në tokën e tyre. Janë imazhe që të ngrohin zemrën”, deklaroi ai, duke shtuar se respekton çdo formë proteste jashtë stadiumit.
Në aspektin sportiv, Gatuzo kërkon përqendrim maksimal.
“Janë dy muaj që e dimë se nuk mund të bëjmë më asnjë gabim. Çdo ndeshje është një finale. Për ne, kjo është mënyra e vetme për të ndërtuar mentalitetin e duhur”.
Sa i përket sulmit, trajneri foli me vlerësim për të rinjtë. “Pio Esposito është një djalë i përulur, që punon shumë dhe jep gjithçka. Do të shohim nëse do të fillojë nga minuta e parë, por e rëndësishme është që ai është gati. Nuk ka rrezik për dëmtime.”
Gatuzo theksoi edhe filozofinë e tij të punës. “Në stërvitje gjithçka duhet të ngjasojë me ndeshjen. Nuk mjafton vetëm talenti, duhet disiplinë dhe përkushtim. Kjo është mënyra si ndërtohen ekipet fituese”.