Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tall Rusinë për nëndetësen 'që çalon' në Kanalin Anglez

Nëndetësja ruse Novorossiysk u shfaq javën e kaluar në sipërfaqe pranë brigjeve të Francës dhe më pas u shoqërua nga marina holandeze në Detin e Veriut, pas një incidenti që dyshohet se përfshinte një rrjedhje karburanti.

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, e komentoi situatën me ironi, duke e cilësuar nëndetësen si “të prishur” dhe duke theksuar se ajo po kthehej në bazë pas patrullimit në Mesdhe. “Tani, në fakt, mezi ka mbetur ndonjë prani detare ruse në Mesdhe. Ka një nëndetëse të vetmuar që po kthehet në shtëpi duke çaluar nga patrullimi,” tha Rutte gjatë një fjalimi në Slloveni të hënën.

Nga ana e saj, Flota e Detit të Zi e Rusisë mohoi se dalja në sipërfaqe ishte për shkak të një mosfunksionimi, duke deklaruar se nëndetësja po respektonte rregullat e lundrimit në Kanalin Anglez dhe po kryente një “tranzit të planifikuar ndërflotë” pas përfundimit të detyrave në Mesdhe.

Sipas ministrisë holandeze të mbrojtjes, nëndetësja u shoqërua nga marina holandeze në Detin e Veriut të shtunën pas raportimeve për një rrjedhje karburanti. Komanda Detare e NATO-s konfirmoi gjithashtu se marina franceze po vëzhgonte nëndetësen.

Pamja e Novorossiysk vjen pas disa incidentesh të tjera në Kanalin Anglez, ku janë vërejtur anije që dyshohet se i përkasin “flotës në hije” të Rusisë, e përbërë nga mjete të vjetra me pronësi të paqartë. Autoritetet franceze kanë nisur hetime për anijen tanker Boracay, e ankoruar në Saint-Nazaire, për shkak të shqetësimeve mbi përdorimin e anijeve të vjetra dhe të pa sigurta.

Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i anijeve dhe nëndetëses së vjetra rrit rrezikun për aksidente mjedisore, duke përfshirë rrjedhjet e karburantit, siç mund të ketë ndodhur me Novorossiysk. NATO ka theksuar gatishmërinë e saj për të mbrojtur aleancën dhe për të ruajtur vigjilencën detare.