'Rama është vetëshpallur Skënderbeu i Shqipërisë' –Denoncuesi Nezha akuzon qeverinë: Po shkatërrojnë gjithçka nga Radhima në Llogara!

Ardian Nezha Denoncues, biznesmen dhe anëtar i “Kuvendit të Dukatit”, në një lidhje “Skype” për emisionin Kafe Shqeto, ngriti akuza të forta ndaj mënyrës sesi po trajtohen banorët dhe bizneset në zonën e Orikumit dhe gjithë bregdetin e Vlorës.

Nezha tha se pushteti lokal dhe qeveria kanë nisur një fushatë sistematike shkatërrimi ndaj pronës private dhe iniciativës së lirë, duke përjashtuar çdo zë kundërshtues.

“Çfarë po ndodh në Orikum, është ajo që po ndodh në gjithë Shqipërinë, kemi një udhëheqës që e ka vetëshpallur veten Skënderbe i vendit dhe vendos nga mëngjesi në darkë çfarë i do qejfi,” u shpreh Nezha, duke përshkruar me tone të ashpra realitetin e pronarëve dhe bizneseve që po shkatërrohen nga vendimet arbitrare të qeverisë.

Ai denoncoi faktin se dhjetëra subjekte private në zonën e Radhimës, Orikumit dhe Llogarasë janë goditur nga aksionet e IKMT-së, pa asnjë proces të rregullt dhe pa asnjë dëmshpërblim.

“Janë tre muaj që inspektorët e IKMT-së lëvizin lart e poshtë në zonë duke shembur biznese dhe duke thënë se ‘janë planifikuar projekte të mëdha’. Po cilat janë këto projekte? Askush nuk di asgjë. Ndërkohë, pronarët kanë mbetur rrugëve,” tha ai.

Deklarata e plotë:

"Në Orikum ka ndodhur ajo që ka ndodhur në të gjithë Shqipërinë, ku udhëheqësi jonë e ka vetëshpallur veten “Skënderbe i Shqipërisë” dhe vendos çfarë i do qejfi nga mëngjesi në darkë.

Konkretisht, në Orikum është një shprehje andej nga ne: “Ngrihu prift të ulet hoxha”. Pra, ky thotë: “Ikni ju se do vij unë”. Por përveç të gjithë banorëve, edhe pak banorë që kanë ngelur aty janë ata pensionistë që po presin vdekjen.

Ka shumë nëpunës të terrorizuar dhe vetëm bizneset e mbajnë në këmbë, por edhe ato pak biznese që na kanë ngelur do t’i shkatërrojnë, duke nisur që nga Radhima e duke përfunduar në Llogara.

Do të shkatërrojnë gjithçka dhe do të zhdukemi përfundimisht.

Ne kemi tre muaj që inspektorët e IKMT kanë shkuar në Llogara, pastaj kanë ardhur në Orikum e Radhimë duke lejuar shkatërrimin e disa bizneseve, pasi sipas tij ka në plan projekte të tjera madhore.

Dëmshpërblime nuk ka, ju e keni parë vetë se çfarë ka ndodhur në Vlorë. E patë dhe rastin e atij djalit që vajti në Këshillin Bashkiak të Vlorës dhe e denoncoi. Ky i ka lënë njerëzit në rrugë, mjafton që të hajë e të pijë për vete.

Siç e dini, pronat këtu janë katastrofë, plus ato që ia kanë marrë në përdorim kanë mbetur në tentativë.

Unë jam nga të parët biznesmenë që jam kthyer këtu në 1994, vendosa të investoj këtu e të punoj me ndershmëri, por fatkeqësisht këtu vetëm i ndershmi nuk shpërblehet".