'Erdha për të punuar si hidraulik'/ Kush është Kristiani, 22- vjeçari shqiptar, i arrestuar me 200 kilogramë kokainë në Itali?
Njësia hetimore e karabinierëve në Romë realizoi një goditje të rëndësishme kundër krimit të organizuar, duke arrestuar një 22-vjeçar shqiptar, i cili u ndalua për kontroll në lagjen Tor Vergata. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën dhe sekuestruan 200 kilogramë kokainë, një pistoletë të vjedhur me municione dhe 30,000 euro para të gatshme. Vlera e drogës në treg do të arrinte rreth 16 milionë euro.
La Repubblica shkruan se i riu kishte shpjeguar se kishte ardhur në Itali për të kërkuar punë si hidraulik dhe se u përfshi në aktivitet kriminal për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike të familjes së tij. Ai pohoi se arma nuk ishte e tij dhe nuk e kishte përdorur kurrë.
Arrestimi u krye nga oficerët e njësisë hetimore të Romës, nën koordinimin e Dario Ferrara, dhe i dyshuari u dërgua në burgun e Rebibbias. Avokatja e tij, Dalila Milano, ka njoftuar se do të apelojnë për një masë paraprake jo-burgosëse.
Hetuesit tashmë po punojnë për të identifikuar krerët e organizatës kriminale që furnizonin të riun. Në apartamentin e tij u gjetën tetë çanta me 191 blloqe kokaine, të ndara sipas llojit dhe gradës së përpunimit, që do të kishin prodhuar rreth 8,000 doza.
Operacioni u vlerësua nga Prefekti Lamberto Giannini si një ndërhyrje e shkëlqyer e karabinierëve të Romës.