Shtyhet lirimi në Ramallah, disa të burgosur dërgohen në Gaza
Një autobus me 88 të burgosur palestinezë të liruar nga burgu i Oferit mbërriti me disa orë vonesë në Qendrën Kulturore të Ramallahut, ku u prit nga familjarë dhe të afërm, por gëzimi ishte i zbehtë për shkak të urdhrave të Izraelit që ndalojnë festimet publike dhe përdorimin e flamujve.
Ndërsa shumë nga të liruarit vinin nga burgu me shenja dhune dhe lodhje të dukshme, disa familje mbetën të zhgënjyera pasi emrat e të afërmve të tyre ndryshuan në listën e lirimeve në momentin e fundit. Për shembull, djali i zonjës Ibtisam Omran, i dënuar me 14 burgime të përjetshme, nuk u lirua në Bregun Perëndimor siç pritej, por u dërgua në Rripin e Gazës së bashku me 157 të burgosur të tjerë, në një eksil të paqartë.
Nga gjithsej 1 mijë e 968 të burgosur palestinezë të liruar nga Izraeli në shkëmbim të 20 pengjeve të fundit të Hamasit, 1 mijë e 718 janë nga Gaza, të arrestuar gjatë konfliktit dhe cilësuar si “luftëtarë të paligjshëm”, term ky që nuk është sqaruar. Të tjerët janë të dënuar për terrorizëm dhe sulme kundër shtetit izraelit. Shtatë udhëheqës të kërkuar nga Hamas, si Marwan Barghouti, nuk u përfshinë në listën e lirimeve dhe mbeten në burg.
Në Ramallah, të liruarit u pritën me heshtje dhe emocion, shpesh me duar që i përkëdhelin dhe me thirrje “Allah Akbar”. Shumë prej tyre ishin të dobësuar dhe të shënuar nga trajtimet brutale në burg. Ndërkohë, në Gaza, pritja ishte më kaotike dhe e tensionuar, me të shtënat në ajër nga militantët e Hamasit dhe takime të ngrohta në rrënojat e spitalit Nasser, ku familjet përqafoheshin me të liruarit.
Të burgosurit treguan për periudha të gjata torturash, trajtime çnjerëzore dhe izolim total nga bota gjatë burgimit. Festimet publike janë të kufizuara me urdhra të autoriteteve izraelite, duke ndaluar përdorimin e flamujve, apo intervistave mediatike, duke zbehur kështu atmosferën e mirëseardhjes.