'Humbja e Prishtinës do të ishte katastrofale për LDK-në'/ Sadiku: Njerëzit nuk shprehin dëshirë për LVV, por...

Gazetari i Klan Kosovës, Kron Sadiku, nga studioja e emisionit “Kafe Shqeto”, ka komentuar procesin e zgjedhjeve vendore në Kosovë, ku një grup xhirimi nga “Syri TV” është stacionuar për të ndjekur nga afër votimet për zgjedhjen e 38 kryetarëve të komunave.

Sadiku u shpreh se, megjithëse Albin Kurti ka humbur katër komuna në veri, ai nuk mund të quhet “diell i perënduar”, pasi ka fituar disa të tjera dhe ka ende mundësi për të fituar Prishtinën me kandidatin Hajrulla Çeku.

“Sipas rezultateve paraprake, në Prishtinë Hajrulla Çeku dhe Përparim Rama janë në një diferencë prej 600 votash. 27% e votave apo rreth 28 mijë e 739 vota kanë shkuar për PDK-në e Uran Ismajlit, dhe tani këto vota do të ndahen mes LDK-së dhe Vetëvendosjes,” tha Sadiku.

Ai theksoi se një humbje e Prishtinës do të ishte katastrofale për LDK-në, ndërsa Çeku, nëse punon mirë gjatë dy javëve të ardhshme, ka mundësi ta marrë kryeqytetin, edhe pse vetë gazetari mbetet skeptik.

“Nëse i shikon njerëzit në terren, nuk shprehin ndonjë dëshirë të madhe për Lëvizjen Vetëvendosje, por sërish një pjesë e madhe e votojnë atë. Me këtë rezultat, Kurti sheh një farë dielli në fund të tunelit – diellin e koalicionit,” përfundoi Sadiku.

Sadiku:

Nëse shikojmë për nga numri i komunave, ato komunat e veriut, Kurti i ka humbur 4 komuna, por nëse e shikojmë kështu sa i përket rezultatit të përgjithshëm të zgjedhjeve, unë nuk e kisha quajtur diell të perënduar Albin Kurtin, të paktën jo në këtë moment, duke marrë parasysh se edhe sot i ka fituar disa komuna, por pjesa më e rëndësishme është se mund të vijë të fitojë edhe Prishtinën Hajrulla Çeku.

Në Prishtinë Hajrulla Çeku dhe Përparim Rama janë në një diferencë prej 600 votash dhe shtoji kësaj faktin që 27% apo 28.739 vota të qytetarëve janë vota që kanë shkuar për PDK-në e Uran Ismajlit, edhe tani ato vota do të ndahen te partitë, LDK e Përparim Ramës dhe Vetëvendosja e Hajrulla Çekut në komunën e Prishtinës, se ajo nuk është veçse e Albin Kurtit.

Besoj se nuk do të ketë ndryshim, një humbje e Prishtinës nga LDK do të ishte katastrofale për partinë e Rugovës, ndërsa Hajrulla Çeku, nëse punohet mirë këto 2 javë, ka mundësi me marrë Prishtinën, diçka që unë jam shumë skeptik.

Dhe është shumë interesant se nëse i shikon njerëzit, nëse bisedon me ta, nuk është se shprehin ndonjë dëshirë të madhe për Lëvizjen Vetëvendosje, por ajo që të tregon terreni është se ende një pjesë e madhe e votojnë Lëvizjen Vetëvendosje.

Unë mendoj që me këtë rezultat të zgjedhjeve, Albin Kurti e sheh një farë dielli në fund të tunelit, diellin e koalicionit, sepse ai mund të kalkulojë tashmë edhe me komunat për të mbajtur qeverinë e Kosovës.