Tafani: Jemi të dezinformuar! Fuqitë lindore po investojnë miliarda për të ndikuar Perëndimin nga brenda
Analisti Endri Tafani ka ngritur shqetësimin për një realitet të rrezikshëm global, ku sipas tij, dezinformimi dhe ndikimi i fuqive të huaja po formësojnë perceptimet dhe debatet publike në Perëndim, por edhe në Shqipëri. Në emisionin ‘Kafe Shqeto’, Tafani solli shembuj konkretë nga investimet masive të vendeve si Katari, Kina dhe Rusia në propagandë dhe "soft power", ndërsa theksoi se këto ndikime nuk janë të rastësishme, por pjesë e një strategjie për të minuar themelet e shoqërive perëndimore.
ENDRI TAFANI: Nuk ishte qëllimi im që të ndodhte. Vura re një trend që ka vite që ndodh edhe normal që u shpreha për atë gjë. Në Shqipëri por edhe në botë jetojmë në një periudhë në të cilën jemi jashtëzakonisht dezinformuar. Për shembull, për të dhënë një ide...Katari 20 vitet e fundit ka harxhuar rreth 100 miliardë dollarë në atë që quhet ‘soft power’ në perëndim, në universitete, në televizione, në organizata, OJF, pikërisht për të krijuar këtë ‘soft power’ në perëndim. Plus propagandës që e vazhdon nëpërmjet Al Jazira-s. Kina pak a shumë, ka harxhuar rreth 100 miliardë dollarë. Ke Rusinë që 20 vitet e fundit ka harxhuar 40 miliardë dollarë. Kryesisht në 20 vitet e fundit janë 240 miliardë dollarë që janë harxhuar në perëndim, kryesisht për propagandë, pra, kryesisht çdo muaj 1 miliard dollarë.
Efektet ndihen e sidomos në Evropën Perëndimore ose në atë që quhet në hapësirën perëndimore në SHBA, Kanadaja, Australia apo dhe vende të tjera, në këtë investim kaq të madh që është bërë, vihet re një aleancë e vjetër faktikisht në Evropë midis asaj që është ekstremi i majtë dhe ekstremizmit islamik.
Përsa i përket kryeministrit shqiptar, një pjesë e kësaj propagande ka ardhur po themi në drejtimin e asaj që quhet ‘axhenda woke’. Duhet që ajo që quhet axhenda ‘woke’, nuk është vetëm axhendë që e promovojnë vetëm forcat ekstremiste të majta. Por, njëkohësisht janë edhe këto fonde që vijnë nga fuqitë lindore që duan të shkatërrojnë perëndimin nga brenda, pra të rrisin tensionet sociale nga brenda. Axhenda ‘woke’ atyre u intereson dhe investojnë në atë drejtim.