OBSH: Alkooli, një nga shkaktarët kryesorë të kancerit në Evropë, po na kushton miliarda euro

Konsumi i alkoolit po rezulton një nga shkaqet kryesore të kancerit në Evropë, paralajmëron Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC), pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Ekspertët thonë se politika më të forta qeveritare për të frenuar pirjen e alkoolit mund të shpëtojnë mijëra jetë çdo vit.

Vetëm në Bashkimin Evropian, i cili ka nivelin më të lartë të konsumit të alkoolit në botë, mbi 111 mijë raste të reja me kancer në vitin 2020 lidhen drejtpërdrejt me alkoolin. Në nivel global, ky numër arriti në 741 mijë raste, me burrat që përbëjnë gati 70% të totalit. Përveç pasojave shëndetësore, dëmet ekonomike janë të mëdha: 4.58 miliardë euro humbje vjetore për shkak të vdekjeve të parakohshme të lidhura me alkoolin, sipas të dhënave të OBSH-së.

“Vendet evropiane po paguajnë një çmim shumë të lartë për alkoolin – në jetë njerëzish, në familje të shkatërruara dhe në kosto për taksapaguesit,” tha Dr. Gundo Weiler nga zyra e OBSH-së për Evropën. Ai shtoi se, ndonëse disa e quajnë alkoolin “trashëgimi kulturore”, sëmundja dhe vdekja nuk duhet të normalizohen si pjesë e kulturës evropiane.

Sipas IARC, alkooli u klasifikua për herë të parë si kancerogjen në vitin 1988 dhe rrit rrezikun për të paktën shtatë lloje kanceresh, përfshirë atë të gojës, faringut, laringut, ezofagut, mëlçisë, kolorektumit dhe gjirit tek femrat. Mekanizmat që lidhen me zhvillimin e kancerit përfshijnë dëmtimin e ADN-së, ndryshimet hormonale dhe ato në mikrobiomën e zorrëve.

Edhe pirja “e moderuar” e alkoolit – më pak se dy pije në ditë – shkaktoi mbi 100 mijë raste të reja me kancer në vitin 2020. Megjithatë, ulja ose ndërprerja e konsumit të alkoolit ndikon drejtpërdrejt në reduktimin e rrezikut.

Agjencia kërkon që vendet të zbatojnë politika të forta parandaluese, si rritja e taksave, çmimet minimale, rritja e moshës ligjore për pirje, si dhe ndalimi i marketingut dhe kufizimi i shitjes së alkoolit. Një studim i vitit 2021 zbuloi se dyfishimi i taksave të akcizës mund të parandalonte deri në 6% të rasteve të reja dhe vdekjeve nga kanceri në Evropë.

“Rritja e ndërgjegjësimit se asnjë nivel i konsumit të alkoolit nuk është i sigurt është thelbësore,” deklaroi Dr. Béatrice Lauby-Secretan nga IARC. “Secili prej nesh ka një rol në ndryshimin e normave që e bëjnë alkoolin kaq të pranishëm në jetën e përditshme,” shtoi ajo.