VIDEO/ Fitore epike e Kosovës në Suedi, 'Dardanët' tani mund të ëndërrojnë edhe vendin e parë në grup

Kosova ka shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e saj futbollistike, duke triumfuar me rezultat minimal 1-0 në transfertën e vështirë ndaj Suedisë, në stadiumin “Nya Ullevi” të Goteborgut. Një fitore me vlerë ari për skuadrën e Franco Fodës, që tani jo vetëm siguron një pozicion të favorshëm për “play-off”, por mban gjallë edhe ëndrrën për vendin e parë në grup.

Ndeshja u vendos në minutën e 32-të, kur pas një goditjeje të fuqishme të Vedat Muriqit, topi mbeti në zonë dhe Fisnik Asllani reagoi më shpejt se mbrojtja suedeze, duke e dërguar topin në rrjetë për 0-1. Goli ndezi festën “dardane” në shkallët e stadiumit, ku tifozët e Kosovës krijuan një atmosferë elektrizuese deri në minutën e fundit.

Rezultati tjetër i grupit, barazimi 0-0 mes Sllovenisë dhe Zvicrës, e ndërlikon renditjen dhe hap skenarë të rinj për kualifikim. Tani Kosova ndodhet në një pozicion ideal me 7 pikë, tri më pak se Zvicra: nëse nuk humbet ndaj Sllovenisë në ndeshjen e radhës, e siguron matematikisht “play-off”-in. Por nëse arrin të fitojë dhe Zvicra lë pikë kundër Suedisë, atëherë ndeshja e fundit në “Fadil Vokrri” kundër Zvicrës do të jetë finale e vërtetë për vendin e parë në grup.

Skuadra e Fodës ka treguar pjekuri, organizim dhe shpirt garues në çdo përballje të fundit, duke fituar respektin e gjithë Europës. Tashmë ëndrra për Botërorin 2026 duket më e gjallë se kurrë.

Goli

Festë ‘dardane’ në Goteborg: në minutën e 32-të të takimit Suedi – Kosovë, Fisnik Asllani përfitoi nga topi i mbetur në zonë nga goditja e Muriqit, duke dërguar topin në rrjetë, 0-1. 

Goli i Fisnik Asllanit