Sondazhi: Shqiptarët kundër projektligjit 'Për Barazinë Gjinore', kërkojnë mbrojtjen e familjes tradicionale

Instituti për Liri dhe Trashëgimi ka përfunduar Raportin Përmbledhës mbi Qëndrimet e Qytetarëve ndaj Projektligjit “Për Barazinë Gjinore” (2025) – një studim kombëtar i kryer me 10,010 qytetarë nga të gjitha qarqet e Shqipërisë.

Ky është sondazhi më i madh kombëtar i realizuar ndonjëherë mbi këtë temë, me një margjinë gabimi vetëm ±1.2% dhe nivel besueshmërie 95%, duke reflektuar me saktësi opinionin publik shqiptar mbi çështjet e identitetit gjinor dhe vlerave familjare.

 Gjetjet kryesore të studimit:

97.6% e shqiptarëve e përcaktojnë gjininë si mashkull dhe femër biologjik, duke refuzuar konceptet e reja të “identiteteve gjinore”.

99% e konsiderojnë familjen tradicionale (burrë, grua, fëmijë) si themelin e shoqërisë shqiptare.

96% kundërshtojnë zëvendësimin e termave “nënë” dhe “babë” me “Prind 1 / Prind 2”, duke e cilësuar si konfuzion për fëmijët.

95.7% janë kundër futjes së edukimit gjinor në shkolla, të cilin e konsiderojnë si indoktrinim ideologjik.

92.1% refuzojnë martesën dhe adoptimin nga persona të të njëjtës gjini, edhe nëse kjo do të ishte kusht për anëtarësim në BE.

85% kërkojnë që qeveria të fokusohet në mbrojtjen e familjes dhe nxitjen e lindshmërisë, jo në politikat gjinore.

94% mendojnë se ligjet që prekin vlerat morale dhe familjare duhet të miratohen me referendum, jo vetëm me votë parlamentare.

Mesazhi i qytetarëve shqiptarë është i qartë:

Po për barazi, jo për ideologji.

Po për Evropën, jo për asimilim kulturor.

Po për progres, por me rrënjë në vlerat tona kombëtare.