Ursula sheh progres imagjinar, ndërsa shqiptarët shohin qamet me sy!

Nga Petrit Vasili

Se ku dreqin e pa Ursula Von der Leyen këtë progresin e mrekullueshëm të Shqipërisë, një Zot e di.

Të ruajtë Zoti, Ursula, por nuk duhet të të keqkuptojmë, sepse duket qartë që progresin ajo e sheh ‘ndryshe’, po ndryshe fare, sepse:

Ursula e sheh progresin se qeveria është kaq e korruptuar sa që vjedh edhe fondet e BE-së në bujqësi.

Ursula e sheh progresin te shkatërrimi dhe kapja e drejtësisë, duke u kthyer në narkodrejtësi të korruptuar, dhe ku qindra mijëra dosje rrinë pa u gjykuar, e po kërcet pushka në sallat e gjyqeve.

Ursula e sheh progresin te fakti se universitetet publike shqiptare s’janë më në asnjë klasifikim botëror dhe arsimi është katandisur për faqe të zezë.

Ursula e sheh progresin te pastrimi i parave, që kërcet në mes të sheshit sa që e bëri edhe euron copë-copë.

Ursula e sheh progresin te shëndetësia, ku shqiptarët shpenzojnë 60% nga xhepi, megjithëse jemi vendi më i varfër në Europë.

Ursula e sheh progresin te pensionet mizerabël prej 100 eurosh dhe mijëra pensionistë llogarisin edhe kafshatën e bukës, se ilaçet nuk i blejnë dot më.

Ursula e sheh progresin te kthimi i Shqipërisë në narkoshtet, ku ligjin e bën narkotrafiku.

Ursula e sheh progresin te zgjedhjet e masakruara nga qeveria e Ramës, më të neveritshme edhe se në Afrikë.

Ursula e sheh progresin te ndotja me 30 dhe 40 fishin e normave dhe mbushjen e mushkërive të shqiptarëve me helm.

Ursula e sheh progresin te ekonomia kriminale e kullave, që pastron miliardat e narkotrafikut dhe shkakton falimentimin masiv të mijëra bizneseve të ndershme.

Ursula e sheh progresin që ne jemi në të gjithë treguesit nga 70 deri 100 vjet larg Europës, sipas vetë instituteve europiane.

Aferim, Ursula! Me këto lloj ‘suksesesh’ që sheh ti, ne do të integrohemi në Afrikë dhe jo në BE.

Rroftë Ursula dhe diplomacia e havjarit, që shohin rrënimin si sukses!