Skandal/ Drejtoresha e Institutit të Kulturës pranon se asfaltimi i Via Egnatia-s është bërë me miratimin e tyre

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër pas një dëshmie zyrtare të dhënë nga përfaqësues të Institutit të Kulturës (IKTK) gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës. Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa publikon raportimin e drejtuesve të IKTK-së që pranojnë zyrtarisht se asfaltimi dhe ndërhyrja në rrugën antike të Via Egnatia është bërë me miratimin e këtij institucioni.

Zhupa e cilëson këtë një akt skandaloz dhe të papranueshëm, që shkatërron vlerat historike dhe kulturore të një pasurie unike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në vend që rruga të restaurohej sipas standardeve ndërkombëtare, "është përcunduar me ndërhyrje të papërshtatshme, ndërsa institucioni që ka për detyrë ta mbrojë, ka dhënë miratimin për dëmtimin e saj' tha ajo.

Zhupa thekson se ky është një alarm për mënyrën se si institucionet shtetërore po veprojnë në dëm të identitetit historik të vendit.

Postimi:

Skandal!

Institucione të papërgjegjshme dhe të paafta. Drejtoresha e IKTK-së pranon se asfaltimi dhe përcundimi i Via Egnatia-s është bërë me miratimin e tyre!
Sot, në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, gjatë një seance dëgjimore me përfaqësues të IKTK-së, bëra pyetje të drejtpërdrejta mbi ndërhyrjen skandaloze në rrugën historike të Via Egnatia-s:

A ka aplikuar bashkia për këtë projekt? A e keni parë dhe miratuar ju këtë ndërhyrje?

Përgjigjja e drejtoreshës ishte po: e kemi parë, e kemi miratuar dhe sipas saj, nuk ka asnjë problem.

Ky pranim është tronditës. Tregon qartë papërgjegjshmëri të thellë institucionale ndaj trashëgimisë sonë kulturore. Rruga e Via Egnatia-s nuk është një rrugë e zakonshme , është pjesë e një historie me vlerë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë që ne kemi kërkuar mbrojtje institucionale, restaurim sipas standardeve ndërkombëtare dhe heqjen e çdo ndërhyrjeje të paligjshme që deformon vlerat e rrugës së lashtë, duke e denoncuar si produkt të një injorance dhe arrogance lokale, ndërkohë kjo qenka “mbrojtja” që i ka dhënë IKTK trashëgimisë sonë për “t’i shtuar vlerën”!!!

Absurde kur një institucion që ka për detyrë mbrojtjen e trashëgimisë sonë, e shikon shkatërrimin si diçka “në rregull”. Kjo nuk është më çështje sporadike por është një alarm për mënyrën si mendohet dhe veprohet në dëm të historisë sonë.