Suedi-Kosovë (20:45) në Goteborg, zbardhen formacionet zyrtare
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë sonte ndeshjen e dytë të tetorit, duke u përballur me Suedinë në stadiumin ‘Nya Ullevi’ të Goteborgut, me fillim nga ora 20:45.
Pas fitores së madhe 2-0 në Prishtinë ndaj të njëjtit kundërshtar, “Dardanët” kërkojnë të përsërisin suksesin edhe në transfertë për të konsoliduar pozitën e tyre në grup. Aktualisht, Kosova renditet në vendin e dytë me 4 pikë, ndërsa Suedia ka grumbulluar vetëm 1 pikë pas tri ndeshjeve të para.
Trajneri Franco Foda ka bërë disa ndryshime në formacionin startues në krahasim me sfidën e kaluar ndaj Sllovenisë. Në portë do të jetë sërish Aro Muric, ndërsa mbrojtja formohet me Ilir Krasniqin, Kreshnik Hajrizin dhe Albian Hajdarin në qendër. Nga krahët do të veprojnë Dion Gallapeni dhe Mërgim Vojvoda.
Në mesfushë, Veldin Hoxha dhe Leon Avdullahu do të startojnë nga minuta e parë, me Florent Muslijën pak më përpara në rolin e organizatorit.
Në sulm, trajneri Foda i ka besuar sërish dyshes Vedat Muriqi – Fisnik Asllani, të cilët pritet të jenë armët kryesore për të sfiduar mbrojtjen suedeze.
Në anën tjetër, Suedja e nis ndeshjen me Johansson në portë dhe me Viktor Gyökeres e Alexander Isak në krye të sulmit, dy emra me peshë në futbollin evropian.