Çfarë tha dhe nuk tha Trump-i në Knesset

Presidenti amerikan foli për gjithçka, përveç gjenocidit.

Nga Belén Fernández/

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u kënaq shumë të hënën në Knesset-in izraelit, ku u mirëprit si "presidenti i paqes". Audienca e tij e mahnitur e duartrokiti, qeshi dhe u ngrit në këmbë aq shumë herë sa që ishte e pamundur t'i numëroje. Një protestues i vetëm bëri një shpërthim të shkurtër, por u largua menjëherë nga salla, duke i sjellë presidentit edhe më shumë të qeshura dhe duartrokitje, pasi ai komentoi: "Kjo ishte shumë efikase."

Ishte një fjalim tipik në stilin e rrjedhës së mendimeve të Trump-it, megjithëse këtë herë, për fat të mirë, ai u përmbajt nga rrëfimet për shkallët lëvizëse dhe teleprompterët.

Fillimisht kisha shpresuar se fakti që kreu i shtetit amerikan do të shkonte menjëherë pas kësaj në një samit për Gazën në Sharmel-Sheikh të Egjiptit, do ta mbante fjalimin e tij më të përmbledhur. Por këto shpresa shpejt u shuan, edhe pse Trumpgjeti kohë të bollshme për të spekuluar nëse homologët e tij të samitit do të kishin lënë tashmë Egjiptin para se ai të mbërrinte.

Shfaqja e Trump-it në Knesset ndodhi me rastin e përfundimit të supozuar, për momentin, të gjenocidit izraelit të mbështetur nga SHBA-ja në Rripin e Gazës, i cili gjatë dy viteve të fundit ka vrarë zyrtarisht më shumë se 67 mijë palestinezë. Disa studiues kanë sugjeruar se numri real i viktimave mund të jetë afërsisht 680 mijë.

Natyrisht, viktimat palestineze të gjenocidit ishin me rëndësi të papërfillshme në spektaklin e Knesset-it, i cili në thelb ishte një ushtrim i lavdërimeve të ndërsjella midis Trump-it dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, si dhe një festë e ekselencës së Izraelit në masakrat masive. Në këtë kuadër, Trump i tha Izraelit: "Ju keni fituar," dhe e uroi Netanyahun për "punë të shkëlqyer".

Sikur kjo të mos ishte tashmë një nderim i turpshëm për gjenocidin, urinë e detyruar dhe terrorin në Gaza, Trump u mburr gjithashtu se "ne bëjmë armët më të mira në botë, dhe ia kemi dhënë shumë prej tyre Izraelit, … dhe ju i keni përdorur mirë."

Në fjalimin e tij pati edhe disa referenca ndaj asaj që ai më parë e ka quajtur në rrjete sociale "KATASTROFA 3000 VJEÇARE", të cilën ai pëlqen të besojë se e ka zgjidhur përfundimisht. Kjo, përveç "shtatë luftërave" që ai pretendon se i ka përfunduar për shtatë muaj, një tjetër shifër që duket se ka dalë nga hiçi.

Por, ej, kur je një "president i madh", nuk ke pse shpjegohesh.

Përveç vetëlavdërimit, Trump kishte shumë lëvdata edhe për anëtarë të tjerë të enturazhit të tij, përfshirë të dërguarin amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, për të cilin ai bëri një devijim të gjatë rreth presidentit rus Vladimir Putin, dhe "gjeniun" e tij, dhëndrin Jared Kushner, i cili ishte gjithashtu i pranishëm, edhe pse nuk ka asnjë rol zyrtar në administratën aktuale.

Gjatë mandatit të parë të Trump-it si president, Kushner shërbeu si këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe si figurë kyçe në Marrëveshjet e Abrahamit, marrëveshjet e "normalizimit" midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut, të cilat në thelb e nxorën çështjen palestineze jashtë skenës politike arabe.

Paraqitja e Trump-it në Knesset përfshinte edhe shumë reklama për Marrëveshjet e Abrahamit, të cilat ai theksoi se preferon t'i shqiptojë "Avraham" sepse "tingëllon shumë më e bukur". Duke theksuar se sa të mira kanë qenë këto marrëveshje për biznesin, Trump deklaroi se katër nënshkruesit ekzistues "kanë fituar shumë para duke qenë pjesë e tyre."

Sigurisht, çdo zgjerim i Marrëveshjeve të Abrahamit në kontekstin aktual do të shërbente për të legjitimuar gjenocidin dhe për të përshpejtuar dëbimin e palestinezëve nga toka e tyre. Në këtë moment, banorët e mbijetuar të Gazës janë dënuar të jetojnë nën një formë të mbikëqyrjes koloniale, eufemizuar si një "Bord Paqeje", të cilin Trump e ka quajtur "një emër të bukur", dhe që do të drejtohet personalisht nga presidenti amerikan.

Kjo, me sa duket, është ajo që palestinezët "kanë nevojë" për të "hequr dorë nga rruga e terrorit dhe dhunës", siç e tha vetë Trump, duke lënë mënjanë faktin që palestinezët nuk janë ata që kanë kryer një gjenocid gjatë dy viteve të fundit.

Para Trump-it, në podium foli Netanyahu, duke shtuar edhe një nivel tjetër torture psikologjike për këdo që ishte i detyruar t'i dëgjonte të dy njëri pas tjetrit. Duke falënderuar presidentin amerikan për "udhëheqjen e tij vendimtare" në përfundimin e një lufte që, në fakt, Netanyahu nuk donte ta përfundonte, kryeministri izraelit e quajti Trump-in "mikun më të madh që shteti i Izraelit ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë."

Netanyahu gjithashtu e propozoi Trump-in si kandidatin e parë jo-izraelit për Çmimin e Izraelit dhe e siguroi se së shpejti do ta fitonte edhe Nobelin.

Nuk e matja me kohë fjalimin e Trump-it, megjithatë do ta përllogarisja se zgjati disa "aneurizma" të plota. Në një moment, në mes të një diskutimi krejtësisht të parëndësishëm për çështjen e trajtuar, mendova nëse britmat e mia të dëshpëruara për ta dëgjuar atë do të ngjallnin shqetësimin e fqinjëve.

Kur Trump më në fund vendosi ta mbyllte fjalimin, rreshtat e tij të fundit përfshinin deklaratën: "E dua Izraelin. Jam me ju deri në fund."

Dhe megjithëse dashuria amerikane për një shtet gjenocidal nuk duhet të jetë surprizë për askënd, është gjithashtu një tregues i qartë se "paqja" nuk është aspak ajo që po ndodh në të vërtetë. / Al Jazeera - Syri.net