Kapiteni i Arsenalit mungon deri në mesin e nëntorit

Arsenali do të duhet të bëjë pa kapitenin Martin Odegaard për disa javë të tjera, pasi mesfushori norvegjez do të qëndrojë jashtë fushave të paktën deri pas pushimit të kombëtareve në nëntor.

Lojtari 26-vjeçar pësoi një dëmtim në ligamentin e brendshëm të gjurit (MCL) gjatë ndeshjes kundër West Ham-it, më 4 tetor, dhe u detyrua të largohej nga fusha që në pjesën e parë. Që prej asaj dite, ai nuk ka qenë në dispozicion të trajnerit Mikel Arteta, duke humbur disa sfida të rëndësishme në Premier League dhe Champions League, përfshirë ato ndaj Fulham-it, Crystal Palace, Burnley-t, Sunderland-it, Atletico Madrid-it dhe Slavias së Pragës.

Ky është një lajm i rëndë për Artetën, pasi Odegaard është një nga shtyllat kryesore të skuadrës londineze dhe një lojtar që udhëheq ritmin dhe kreativitetin në mesfushë. Fillimi i këtij sezoni ka qenë i vështirë për të, pasi dëmtimet e kanë ndjekur vazhdimisht, duke e detyruar të largohet në pjesën e parë të tri ndeshjeve radhazi në kampionat.

Pjesëmarrja e tij në derbin e madh të veriut të Londrës ndaj Tottenham-it, që do të luhet më 23 nëntor, mbetet ende në dyshim.

Ndërkohë, Kombëtarja e Norvegjisë po ecën me hapa të sigurt drejt Kampionatit Botëror 2026, pasi së fundmi arriti një fitore të thellë 5-0 ndaj Izraelit, një hap i rëndësishëm për pjesëmarrjen e tyre të parë në një turne të madh ndërkombëtar që nga viti 2000.