Klisman Cake: Po jetoj një ëndërr me Kombëtaren, ftoj tifozët të festojnë me ne

Klisman Cake, një nga prurjet më të reja të Kombëtares Shqiptare, foli sot në konferencën për shtyp përpara trajnerit Sylvinho, duke ndarë emocionet e para me fanellën kuqezi dhe përvojën e tij në grumbullimin aktual.

“Emocionet nuk mund t’i përshkruaj. Çdo fëmijë ëndërron të luajë për Kombëtaren, dhe unë momentalisht po jetoj një ëndërr,” – u shpreh Cake, i cili vjen nga ekipi i Shkëndijës së Tetovës.

Sulmuesi 24-vjeçar theksoi se është pritur në mënyrën më të mirë nga grupi: “Grupi është shumë i mirë, i bashkuar. Djemtë janë gjithmonë aty për njëri-tjetrin dhe mikpritja për mua ka qenë e shkëlqyer.”

I pyetur për komunikimin me trajnerin Sylvinho, Cake u tregua i qartë: “Kam folur me të ditën kur jam grumbulluar në hotel. Askush nuk merr një premtim për minuta loje, jemi këtu për të dhënë kontributin tonë për Kombëtaren.”

Sa i përket ftesës, Çake pranoi se nuk e priste: “Nuk e kisha menduar, por tani që jam këtu, e ndiej plotësisht krenarinë për të qenë pjesë e Kombëtares. Gjithë jetën time kam qenë kuqezi.”

Ai foli edhe për reagimin në klubin e tij, Shkëndija e Tetovës: “Të gjithë janë gëzuar shumë, nga drejtuesit deri te bashkëlojtarët. E dimë sa shumë e duan Kombëtaren të gjithë te Shkëndija.”

Në fund, Cake dha edhe një mesazh për tifozët shqiptarë:

“Tifozët janë forca jonë më e madhe. I ftoj të gjithë të jenë në stadium, sikurse festuan me gjithë botën fitoren ndaj Serbisë. Të vijnë ta festojnë me ne edhe këtë miqësore.”