Presidenti i Madagaskarit do t'i drejtohet kombit, ndërsa protestuesit bëjnë thirrje për tubime të reja
Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka njoftuar se do t'i drejtohet kombit mes presionit nga protestuesit dhe nga brenda ushtrisë që ai të japë dorëheqjen.
Presidenca njoftoi të hënën se Rajoelina do të mbante një fjalim televiziv në orën 19:00, sipas orës lokale (16:00 GMT). Ndërkohë, me thashethemet e vazhdueshme se ai ka humbur kontrollin e vendit, protestuesit kanë bërë thirrje për tubime të reja në kryeqytet, Antananarivo.
Demonstratat e udhëhequra nga studentët gjatë javëve të fundit janë përballur me një shtypje nga autoritetet. Megjithatë, presidenti u detyrua të bënte një hap prapa gjatë fundjavës, ndërsa një njësi elitare ushtarake doli në mbështetje të kërkesës së protestuesve që ai të jepte dorëheqjen.
Ushtarët nga njësia CAPSAT, dolën hapur në anën e protestuesve të shtunën.
Të nesërmen, Rajoelina deklaroi se po ndodhte një grusht shteti, ndërsa CAPSAT emëroi një shef të ri ushtarak gjatë një ceremonie ku mori pjesë edhe ministri i forcave të armatosura, i cili e mirëpriti emërimin.
Brenda apo jashtë vendit?
Vendndodhja e presidentit është e paqartë. Siteny Randrianasoloniaiko, një figurë e opozitës që kandidoi kundër Rajoelinës në vitin 2023, ka pohuar se presidenti nuk është më në Madagaskar.
Randrianasoloniaiko i tha Reuters: “Ne telefonuam stafin e presidencës dhe ata konfirmuan se ai ishte larguar nga vendi.” Një burim ushtarak i tha gjithashtu Reuters të dielën se ai ishte arratisur.
Qindra njerëz u rikthyen në rrugë të hënën në një atmosferë festive, të shoqëruar nga banda muzikore, mes thashethemeve.
Disa ushtarë iu bashkuan turmës, me studentë që vareshin nga automjete ushtarake dhe valëvitnin flamuj.
Ndërhyrja e ushtrisë në politikën e Madagaskarit, shënoi një përshkallëzim dramatik të trazirave që shpërthyen më 25 shtator për shkak të mungesës kronike të energjisë elektrike dhe ujit, përpara se të evoluonin në thirrje më të gjera për ndryshime politike.
Pasi u rreshtua me protestuesit dhe zëvendësoi shefin e ushtrisë, komandanti i CAPSAT-it, kolonel Michael Randrianirina, u tha gazetarëve: “Ne iu përgjigjëm thirrjes së popullit.”
Merrni njoftime dhe përditësime të menjëhershme bazuar në interesat tuaja. Jini i pari që do të mësoni kur të ndodhin lajme të rëndësishme.
Dezertimi ka një rëndësi të veçantë, duke pasur parasysh rolin kyç të CAPSAT në grushtin e shtetit të vitit 2009 të mbështetur nga ushtria që solli në pushtet Rajoelinën.
Ushtria ka ndërhyrë vazhdimisht në politikë, që kur Madagaskari fitoi pavarësinë nga Franca në vitin 1960.
Të dielën, turma njerëzish u mblodhën në Sheshin simbolik të 13 Majit – zemra tradicionale e kryengritjeve politike në Antananarivo – për të festuar përkrah ushtarëve të CAPSAT, të cilët kaluan me automjete të blinduara nën brohoritjet e protestuesve që valëvitnin flamuj kombëtarë.
RFI, transmetuesi publik i Francës, raportoi se midis të pranishmëve ishte ish-presidenti Marc Ravalomanana, të cilin Rajoelina e rrëzoi.
Duke e pozicionuar veten si reformist, Rajoelina udhëhoqi një qeveri kalimtare deri në vitin 2014, duke u larguar për të rivendosur rendin kushtetues. Ai u rikthye pasi fitoi zgjedhjet e vitit 2019 dhe siguroi një mandat të dytë të plotë në vitin 2023.
Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 22 persona janë vrarë dhe më shumë se 100 janë plagosur që nga fillimi i demonstratave, megjithëse qeveria i kundërshton këto shifra. Një ushtar i CAPSAT vdiq në përleshjet me xhandarmërinë të shtunën.
Protestat kanë nxjerrë në pah zhgënjimin e thellë në një nga vendet më të varfra në botë, ku vetëm një e treta e popullsisë ka qasje në energji elektrike dhe ndërprerjet e energjisë elektrike zakonisht kalojnë tetë orë në ditë.
Lëvizja Gen Z Madagaskar, në zemër të protestave, është frymëzuar nga kryengritjet që kanë sfiduar qeveritë në disa vende, përfshirë Kenian, Indonezinë dhe Perunë, kohët e fundit.
Demonstrata të tilla të udhëhequra nga të rinjtë kanë ndihmuar në rrëzimin e qeverive në Bangladesh, Nepal dhe Sri Lanka.
Gjenerata Z e Madagaskarit ka refuzuar ofertat e qeverisë për dialog, pavarësisht përpjekjeve të përsëritura të administratës së Rajoelinës për të ndërhyrë./ Al Jazeera.