Samiti në Egjipt, Starmer: Britania dëshiron të angazhohet për rindërtimin e Gazës

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer do të njoftojë këtë të hënë angazhimin e tij për të ofruar ndihmë për rimëkëmbjen e Rripit të Gazës në samitin historik të paqes që po zhvillohet në Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

Britania pritet të ofrojë ndihmë humanitare me vlerë 20 milionë paund dhe të organizojë një konferencë ndërkombëtare për rindërtimin e Gazës. Paratë do të jepen për të siguruar shërbime bazë të ujit, kanalizimeve dhe higjienës për civilët në zonë.

“Sot shënon fillimin e fundit të luftës. Mbretëria e Bashkuar do të jetë në ballë të përpjekjeve për të zbatuar plotësisht planin e paqes, në mënyrë që njerëzit në të dyja palët të mund të jetojnë në siguri dhe dinjitet”, tha Starmer.

Në konferencën ndërkombëtare tre-ditore do të marrin pjesë,Gjermania, Italia, Arabia Saudite, Jordania dhe Autoriteti Palestinez. Në të njëjtën kohë, do të ftohen organizata ndërkombëtare, institucione financiare zhvillimi, si dhe individë që dëshirojnë të investojnë në zonë.