SYRI TV/ Mbledhja e KLGJ-Kërkohet siguri nga Policia dhe mbështetje nga AKEP e AMA
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja ka ngritur në këmbë të gjithë strukturat gjyqësore, të cila kërkojnë më shumë siguri sidomos gjatë zhvillimit të seancave gjyqësor. Në një mbledhje të thirrur nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, në prani të 260 gjykatëse është kërkuar që policia e shtetit të ketë një mbështetje më të fortë për punonjësit e drejtësisë duke i siguruar ata sidomos gjatë dhënies së vendimit.
Syri TV
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka zhvilluar një mbledhje urgjente ku kërkon siguri për të gjithë gjyqtarët, sidomos gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore. Në takimin mes krerëve të KLGJ-së dhe në prani të 260 gjykatëse u ngrit një grup pune, ndërsa është hartuar një plan masash për rritjen e sigurisë në gjykata. Ky vendim vjen pas ngjarjes tragjike ku gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u vra brenda sallës së gjyqit.
Gjithashtu gjatë mbledhjes së zhvilluar mes drejtuesve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe gjykatësve është kërkuar që të ndërtohen edhe objekte të reja që do të shërbejnë si Gjykata.
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi të marrë masa të menjëhershme lidhur me adresimin pranë pushtetit vendor dhe kërkimin e ndihmës për ndërtimin e 8 godinave të reja të gjykatave të shkallës së parë në rrethet gjyqësore, si dhe ndërtimit të godinave të reja për Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkuar edhe mbështetjen e Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare, por edhe nga Autoriteti i Mediave Audiovizive që të ndalin gjuhën e papërshtatshme ndaj gjyqtarëve në rrjetet sociale, platformave online dhe media, informimin e këtyre institucioneve mbi situatën aktuale.