'Pas dy vitesh luftë, një rreze shprese në Gaza', zëri i një prifti katolik nga rrënojat e qytetit

Për herë të parë pas shumë kohësh, banorët e një komuniteti të vogël katolik në Gaza u zgjuan në heshtje.

“Na u duk e çuditshme që nuk po bombardohej. Thuajse ishim mësuar me këtë”, rrëfen me zë të lodhur, por të lehtësuar, At Gabriel Romanelli, prift i famullisë së “Familjes së Shenjtë” në qytetin e shkatërruar të Gazës.

Për dy vjet me radhë, rreth 450 persona kanë jetuar të strehuar brenda kompleksit të kishës, në kushte tejet të vështira, nën rrezikun e përhershëm të sulmeve ajrore dhe mungesës së ushqimeve bazë. Tani, me fillimin e lirimit të pengjeve izraelite dhe një ndalesë të përkohshme të luftimeve, një fije shprese duket se ka mbërritur edhe këtu.

“Disa dolën jashtë për të parë shtëpitë e tyre, por shumica qëndruan në kompleks, duke pritur që gjendja të stabilizohej. Dikush shkoi deri në treg dhe u kthye duke bërtitur se kishte parë një pulë... një pulë! Diçka që nuk e kemi parë për dy vjet. Sidoqoftë nuk e blemë, ishte shumë e shtrenjtë dhe nuk do mjaftonte për të gjithë”, tregon prifti, duke buzëqeshur lehtë përmes telefonit, pa e fshehur lodhjen.

Gëzim, trishtim dhe ankth për të nesërmen

Ndërsa armët heshtin, emocionet janë të përziera mes të mbijetuarve.

“Nga njëra anë ndjejmë gëzim, lehtësim dhe një lloj paqeje. Por menjëherë më pas vijnë trishtimi dhe ndërgjegjësimi se kemi humbur gjithçka shtëpitë, kujtimet, dokumentet, shkollat, jetën që kishim. Dhe mbi të gjitha, është frika: çfarë do të ndodhë tani? A është kjo me të vërtetë fundi? Apo do përsëritet sërish?” thotë ai.

Nevojat janë të pafundme, por shpresa mbetet

Kishës i kanë mbërritur ndihmat e para nga Patriarkana Latine e Jerusalemit: fruta dhe perime të freskëta një luks që nuk ishte parë prej kohësh në Gaza.

“Tani po i shpërndajmë tek familjet përreth. Por dëmet janë të mëdha. Ata që dolën gjetën shtëpitë të rrënuara. Dikush që ka dy dhoma të mbetura në këmbë e konsideron veten me fat dhe shpreson të rikthehet aty”, tregon At Gabriel.

Furnizimi me gaz dhe energji elektrike mbetet një sfidë.

“Prej dy vitesh nuk ka gaz. Kemi djegur gjithçka karrige, dyer, plastikë për të ngrohur apo gatuar. Shpresojmë që së shpejti të rikthehet. Panelet diellore dhe gjeneratorët janë shkatërruar. Dhe më pas do të vijë nevoja më e madhe: shkollimi.”

“Shkolla është e ardhmja”

“Fëmijët kanë humbur tre vite shkollë. Dy prej tyre ia dolëm t’i zhvillonim brenda kompleksit të kishës, por vetëm për ata që ishin këtu. Fëmijët nga jashtë mbetën pa mësim. Tani nuk ka më shkolla dhe as të gjithë nxënësit, sepse shumë kanë humbur jetën”, thotë prifti me trishtim.

A do të largohen nga Gaza?

Disa prej famullitarëve kanë nisur të mendojnë largimin. “Ka familje që më thonë: ‘E duam vendin tonë, por sa vite do të duhen që ta rindërtojmë jetën?’. Disa tashmë janë larguar. Të tjerë mund t’i ndjekin”, tregon ai.

E ardhmja e Gazës: Më shumë se paqe, nevojitet drejtësi

Ndërkohë që në Egjipt po diskutohen çështjet e së ardhmes së Gazës dhe qeverisjes së saj, banorët kërkojnë një gjë të thjeshtë: rend dhe të drejta.

“Këtu, për 20 vjet, njerëzit kanë jetuar vetëm mes luftërave. Fëmijët mendojnë se lufta është normale. Të gjithë duan që kjo të marrë fund, që në një Lindje të Mesme të re, të njihet e drejta e palestinezëve për të jetuar pranë Izraelit. Kjo është ajo që Kisha ka mbështetur gjithmonë”, përfundon ai.