'Heshtja e SPAK e papranueshme'/ Zhulali: Rama ka vënë në rrezik marrëdhëniet dhe ekuilibrat e Shqipërisë me Amerikën

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, e ftuar në studion e “Kafe Shqeto” në Syri TV, komentoi jehonën që ka marrë në mediat ndërkombëtare vizita e kryebashkiakut të Nju Jorkut, Eric Adams, në Shqipëri.

Sipas Zhulalit, pothuajse të gjitha mediat botërore kanë raportuar për vizitën, por gazeta prestigjioze New York Times ka qenë e vetmja që ka “goditur drejtpërdrejt” kryeministrin Edi Rama, duke rikthyer në vëmendje çështjen McGonigal.

“Artikulli ka shkuar deri atje sa të hamendësojë se deri tani nuk ka një hetim të thelluar ndaj Edi Ramës. Pikërisht kjo frazë ‘deri tani’ e bën goditjen shumë domethënëse,” u shpreh Zhulali.

Ajo theksoi se përmes këtij publikimi, New York Times ka vënë në shënjestër kryeministrin shqiptar, i cili deri dje paraqitej si një figurë në ngjitje në arenën ndërkombëtare.

“Tani, papritur, ai shfaqet si një njeri i përfshirë në afera korruptive. Dosja McGonigal nuk është aspak e lehtë – Rama përmendet 13 herë në 17 faqe dhe figuron si bashkëpunëtor i personazheve të lidhur me kinezët, dy prej të cilëve tashmë janë dënuar,” tha ajo.

Zhulali shtoi se mungesa e reagimit nga SPAK për këtë çështje është shqetësuese. “SPAK deri tani nuk ka vepruar ndaj një dosjeje kaq serioze, që prek jo vetëm integritetin e brendshëm, por edhe ekuilibrat delikatë në raport me Rusinë, Kinën dhe sidomos me SHBA-të, aleatin më të çmuar të Shqipërisë,” deklaroi ekspertja.

Në përfundim, ajo theksoi se detyrimi i Prokurorisë së Posaçme është i njëjtë për çdo qytetar shqiptar dhe se “heshtja totale ndaj një çështjeje me interes kaq të madh publik është e papranueshme.”

Zhulali:

Vizita e Eric Adams në Shqipëri ka gjetur jehonë thuajse te të gjithë mediat ndërkombëtare, por New York Times është e vetmja gazetë e cila ka goditur drejtpërdrejt Edi Ramën dhe ka përmendur çështjen McGonigal, dhe ka shkuar deri atje duke hamendësuar se deri tani nuk ka një hetim më të thelluar ndaj Edi Ramës, por është ajo fjala “deri tani”; pra, kështu që përmes këtij artikulli New York Times godet drejtpërdrejt kryeministrin shqiptar dhe ky është lajmi, mendoj unë, që një gazetë thellësisht e majtë ku Edi Rama deri dje dilte si ylli në ngjitje jo vetëm i Shqipërisë, por i politikës europiane e më gjerë.

Tani krejt papritur shfaqet me syze të errëta si njeri që është i përfshirë në afera korruptive dhe të mos harrojmë që dosja McGonigal nuk është një çështje e lehtë ku Edi Rama ka dalë padashje, jo vetëm që përmendet 13 herë në 17 faqe, por aty është edhe bashkëpunëtor i një personazhi siç është edhe Donald Duçka, i cili mendohet se është i lidhur me kinezët, dy prej të cilëve tashmë janë të dënuar.

Lajmi këtu është që SPAK deri tani nuk ka vepruar ndaj kësaj dosjeje që është një dosje shumë serioze dhe, thashë, nuk është i përfshirë thjeshtë Edi Rama në ndonjë aferë të brendshme, por ka vënë në rrezik shumë marrëdhënie dhe shumë ekuilibra të hollë që luhen, qoftë në raport me Rusinë, qoftë me Kinën, por mbi të gjitha me SHBA që janë aleat kryesor dhe shumë i çmuar i Shqipërisë.

Detyrimi i Prokurorisë së Posaçme, mendoj unë, është i njëjtë ndaj çdo qytetari shqiptar për të dhënë informacion për një çështje që ka një interes kaq të madh publik. Ka një heshtje të plotë totale dhe kjo është e papranueshme.