‘Arma nuk është zgjidhje...’/ Tomorri: Shteti duhet të garantojë sigurinë, jo të armatosë qytetarët

I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, gazetari Klodian Tomorri nënvizoi se pajisja me armë e zyrtarëve apo personave që ushtrojnë një detyrë dhe u rrezikohet jeta si pasojë e kërcënimeve, nuk do të kishte shmangur asnjë ngjarje tragjike, siç ishte dhe ajo e fundit, ekzekutimi i gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja.

Sipas Tomorrit, zgjidhja është ndërtimi i një shteti që garanton sigurinë për të gjithë, qytetarët dhe zyrtarët dhe reduktimi i qarkullimit të armëve, sepse në thelb problemi është dështimi i institucioneve për të bërë detyrën e tyre.

Klodian Tomorri: Ka një pyetje shumë të thjeshtë... Edhe nëse gjyqtari i ndjerë do të kishte armë me vete, a do kishim patur të njëjtin rezultat? Do ta kishte shpëtuar arma atë? Nuk kishte për ta shpëtuar arma dhe pastaj suksesi i një shoqërie dhe një shteti qëndron në faktin që të lejojë sa më pak armë në qarkullim. Ta bëjë armën sa më të panevojshme për komunitetin. Në qoftë se ne do të armatosim gjyqtarët dhe pse jo edhe gazetarët, sepse ky është një profesion i rrezikuar, pse jo edhe mjekët sepse kemi patur shumë raste ku mjekët janë kërcënuar në detyrë, janë rrahur nga pacientët...e kështu me radhë.

Po të shikosh statistikat, kategoria profesionale që është më e dëmtuar nga vrasjet me armë, që ka më shumë raste drastike në Shqipëri janë kamarierët, banakierët. Po t’i rikthehesh episodeve të kronikës janë vrarë kushedi sa kamarierë e banakierë që kanë qenë në punë dhe janë vrarë me armë. Çfarë do të bëjmë tani? Do ti pajisim me armë dhe këta? Nuk është zgjidhje pajisja me armë të popullsisë, apo profesioneve që janë më të rrezikuara. Kjo sepse në thelb anashkalon problemin real që ka vendin. Është një mënyrë për t’i ikur problemit real. Dhe problemi real është një dhe shumë i qartë. Ky është një shtet i kalbur që nuk siguron dot, nuk garanton dot sigurinë, as të qytetarëve të tij e as të zyrtarëve të tij në detyrë. Kaq e thjeshtë është. Nuk ndodhi vrasja e gjyqtarit sepse gjyqtari nuk kishte armë... i gjithë thelbi është që ne të ndërtojmë një shtet i cili siguron jetën e qytetarit, siguron jetën e zyrtarit. Nuk e sorollat qytetarin, nuk e çon atë me shpatulla pas murit që pastaj të marrë veprime dramatike, apo veprime si ajo me rastin e gjyqtarit. Kjo është, ka një shkak që ndodhin këto gjëra. Dhe shkaku është, që shteti nuk bën detyrën e tij.