Ursula von der Leyen në Tiranë, nis takimet zyrtare
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Shqipëri, ndërsa ka nisur të zhvillojë takimet zyrtare. Aktualisht, von der Leyen po zhvillon një takim me presidentin Bajram Begaj.
Presidentja e Komisionit Evropian, ka nisur sot një tur në Ballkanin Perëndimor për të theksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për procesin e anëtarësimit të rajonit në BE dhe për të diskutuar Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027.
Vizita e saj nisi në Tiranë ku von der Leyen u takua me Presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe më pas do zhvillojë takim në Kryeministri.
Takimet do të fokusohen në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, si dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik dhe përmirësimin e lidhjeve rajonale.
Pas takimeve, von der Leyen do të mbajë një fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, e cila do të mbahet pasdite. Ky fjalim do të përqendrohet në angazhimin e BE-së për të mbështetur zhvillimin ekonomik të rajonit dhe mundësitë e reja të investimeve.