Venezuela, armiku i dobishëm i Trump-it

A po planifikon Donald Trump të rrëzojë regjimin e Venezuelës? Vendosja e tre destrojerëve amerikanë, një anijeje amfibie sulmuese, një kryqëzori me raketa drejtuese, një nëndetëseje bërthamore dhe një skuadriljeje avionësh F35 pranë Venezuelës, e tregon qartë këtë qëllim. Në këtë operacion janë përfshirë 6500 ushtarë të marinës dhe trupave detare amerikane. Asnjë operacion kundër trafikut të drogës nuk ka nevojë për një përforcim të tillë. Megjithatë, Trump bën shpesh gjëra madhështore për arsye spektakli. Mjafton të pyesësh pothuajse 800 gjeneralët dhe admiralët amerikanë që ai mblodhi javën e kaluar për t'i dëgjuar teksa flet pa ndonjë qëllim të qartë. Aktualisht, Venezuela është "lufta e Schrëdingerit" për Trump-in: as po ndodh, as nuk po ndodh. Por konflikti i hapur është vetëm një hap larg.

Venezuela është një armik joshës për Trump-in. Në mendjen e tij, ajo shërben si nxitësja kryesore e trazirave në "zonat e luftës" urbane të Amerikës, ku ai ka vendosur trupa, Memfis, Çikago dhe Portland janë më të fundit (pas Los Anxhelesit dhe Uashingtonit). Sulmi ushtarak ndaj një ndërtese në Çikago javën e kaluar kishte në shënjestër bandën venezuelase Tren de Aragua, që Trump thotë se drejtohet nga Nicolás Maduro, kleptokrati brutal i Venezuelës. Nuk ka prova që banda i përgjigjet Maduros. Por Tren de Aragua është ana e brendshme e monedhës Trump, ndërsa Venezuela është ana e jashtme.

Venezuela është larg të qenit furnizuesi kryesor i drogës në SHBA. Megjithatë, Trump dhe "sekretari i tij i luftës", Pete Hegseth, pretendojnë se vendi po ushqen epideminë amerikane të opioideve. Në të vërtetë, asnjë, e përsërisim, asnjë, nga sasia e fentanilit në SHBA nuk ka rezultuar me origjinë nga Venezuela. Pothuajse e gjitha vjen nga Meksika. Kolumbia është burimi më i madh i kokainës për SHBA-në. Katër herë gjatë javëve të fundit, SHBA ka shkatërruar anije venezuelase të dyshuara për kontrabandë në Karaibe, duke vrarë mbi 20 persona. Trump deklaroi se "çantat me fentanil dhe kokainë ishin shpërndarë nëpër oqean". Nuk u dha asnjë provë.

Për t'i dhënë Trump-it të drejtën e vet, atij nuk i duhen prova. Mjaftojnë pretekste të dobëta. Gjykata e Lartë e SHBA-së deri tani ka treguar pak rezistencë ndaj tij. Është e paimagjinueshme që të vepronte si kontroll më i fortë në politikën e jashtme sesa në "luftën" e tij të brendshme. Me fjalë të tjera, presidenti mund ta shpikë rrugës. Sa herë që një varkë venezuelase shkatërrohet, Trump pretendon se ka "shpëtuar 25,000 jetë amerikane". Vitin e kaluar, 54,743 amerikanë vdiqën nga opioidet. Edhe nëse do të pranonim pretendimin e tij shumë më të lartë prej 300,000 vdekjesh në vit, 12 varka venezuelase do të mjaftonin për t'i shpjeguar të gjitha. Ai as nuk përpiqet të mbulojë gënjeshtrat.

Mundësia më e madhe është se Trump ende nuk ka vendosur nëse do të godasë drejtpërdrejt Venezuelën. Disa rreth tij, veçanërisht sekretari i shtetit Marco Rubio, janë për ndryshim regjimi. Të tjerë, si Richard Grenell, njëkohësisht i dërguar për Venezuelën dhe president i Qendrës "John F. Kennedy" për Artet e Performuara (një kombinim nga më të çuditshmit në histori), preferojnë negociatat. Të dy e dinë se Venezuela ka rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë. Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, së fundmi dyfishoi shpërblimin për kapjen e Maduros në 50 milionë dollarë. Skena për një "luftë teatrale" të Trump-it është gati.

Trump nuk ka proces ndërinstitucional politikash. "Administrata" e tij përbëhet nga besnikë që garojnë kush do të jetë më "trumpian" se tjetri. Kjo funksionon kur e dinë çfarë do ai. Por ndonjëherë e kuptojnë gabim. Në korrik, Hegseth ndaloi dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë, vetëm për të zbuluar më pas se Trump ende nuk e kishte vendosur këtë. Ai pësoi një turpërim publik. Që atëherë, Hegseth po përpiqet të kënaqë Trump-in me çdo mënyrë, përfshirë urdhërimin e katër sulmeve televizive ndaj anijeve venezuelase të paidentifikuara. Trump është aq i kënaqur me pamjen e këtyre "fishekzjarrëve pa rrezik" sa po fillon t'i shijojë.

Rreziku është që Trump ta shohë përshkallëzimin si një lojë pa kosto. Maduro është një autokrat i neveritshëm dhe klient i Rusisë e Kinës. Pak venezuelas do të qanin për rënien e tij. Por ata do të luftonin kundër "imperializmit janki". Ironia është se "presioni maksimal" i Trump-it ndaj Venezuelës po shton eksodin masiv të emigrantëve, përfshirë drejt SHBA-së. Trump, në fakt, po ushqen problemin që pretendon se po zgjidh. Kjo ka kuptim vetëm nëse ai nuk është i sinqertë për qëllimin e tij të vërtetë.

Filmi Wag the Dog tregonte një administratë amerikane që shpikte një luftë të rreme për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme. Versioni i Trump-it është e anasjella: ai po zhvillon "luftën e rreme" brenda vendit, ndërsa përgatit një vend të huaj për rolin dytësor në këtë shfaqje. / Financial Times - Syri.net