Kualifikimet për Euro dhe Botëror si në Ligën e Kampionëve? Ideja që po kërkon të vërë në zbatim UEFA
Në Samitin e Futbollit në Portugali javën e kaluar, Aleksander Çeferin, president i UEFA-s, pranoi mundësinë e një reforme të kualifikueseve për Kampionatin Europian dhe Botëror. Ai sqaroi se nuk ka plane për ndryshime në fazën përfundimtare të Europianit, por theksoi se interesi i tifozëve për kualifikimet është i ulët: “Po mendojmë si t’i bëjmë kualifikimet më interesante, por pa shtuar ndeshje të reja, sepse nuk ka data për këtë.”
Sipas raportimeve të New York Times, UEFA mbajti dy javë më parë një takim në Malaga me sekretarët e përgjithshëm të federatave kombëtare dhe formoi një grup pune për të studiuar reformën e mundshme të kualifikimeve.
Opsioni më i mundshëm është përshtatja e një sistemi të ngjashëm me Ligën e Kampionëve: heqja e grupeve, zhvillimi i ndeshjeve në shtëpi dhe jashtë me kundërshtarë të ndryshëm (për shembull tri ndeshje në shtëpi dhe tri jashtë) dhe krijimi i një renditjeje të vetme. Ky format do të sillte më shumë pasiguri në kualifikime dhe do të lejonte përballje mes kombëtareve më të forta, duke mos i privuar skuadrat më të vogla nga mundësia për të konkurruar me të mëdhatë.
Një alternativë tjetër është përdorimi i Ligës së Kombeve si pjesë e kualifikimeve, siç ndodh tashmë te futbolli i femrave (dhe pjesërisht te meshkujt, vetëm për vendet në play-off), gjithmonë duke respektuar parimin se askujt nuk i mohohet mundësia për t’u kualifikuar.
Çeferin theksoi: “Ëndrra për t’u kualifikuar, për të mposhtur më të mirët, duhet të jetë e hapur për të gjithë.”