‘Qytetarët e Kosovës dëshmuan kulturë demokratike’/ Kurti: Tani koha të numërojnë dhe ruajnë votat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas mbylljes së qendrave të votimit në zgjedhjet lokale që u zhvilluan gjatë ditës së sotme, duke falenderuar qytetarët për mbështetjen e treguar për Lëvizjen Vetëvendosje.

Në postimin e tij në Facebook, Kurti thekson se ‘sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi’.

Gjithashtu Kurti ka bërë thirrje për qetësi, pasi ‘tani është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve’.

Postimi i plotë:

Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi.

Falënderoj të gjithë qytetarët për mbështetjen për Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe kandidatët tanë nëpër komuna. Ky besim është forca jonë për të vazhduar me punë e përkushtim përpara.

Por, tash është koha e komisionerëve dhe vëzhguesve, të cilët jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve.