Zgjedhjet lokale në Kosovë/ Disa komuna shkojnë në balotazh, ndërsa disa të tjera fitohen që në rundin e parë

Analisti i zgjedhjeve dhe exit poll-et e publikuara nga televizionet Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7 tregojnë se disa nga komunat kryesore në Kosovë do të vendosin për kryetarët e rinj përmes balotazhit, ndërsa disa të tjera pritet të përcaktohen që në rundin e parë.

Hamza shpall fitoren e PDK-së në Mitrovicë të Jugut

Kryetari aktual i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, ka shpallur fitoren e partisë së tij në këtë komunë.

“Faleminderit për këtë fitore madhështore, Mitrovicë”, shkroi ai në Facebook, pasi sipas disa exit poll-eve, kandidati i PDK-së, Arian Tahiri pritet të fitojë drejtimin e kësaj komune që në rundin e parë.

Hamza ka ftuar qytetarët e Mitrovicës së Jugut për festë sonte në palestrën “Minatori” në këtë qytet.

Në Prizren, kryetari aktual Shaqir Totaj nga Partia Demokratike e Kosovës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, do të përballen në rundin e balotazhit, pasi asnjëri nuk ka kaluar pragun 50% të votave.

Ndërkohë, në Ferizaj, kryetari aktual Agim Aliu nga PDK pritet të fitojë edhe një mandat që në rundin e parë, sipas exit poll-eve të publikuara.

Po ashtu, Lipjani duket se do t’i japë fituesin që në rundin e parë, me kandidatin e LDK-së, Imri Ahmeti, i cili pritet të marrë përkrahje të mjaftueshme për të shmangur balotazhin.

Në Prishtinë, gara do të vendoset në balotazh, ku kandidati i LDK-së, Përparim Rama, dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, pritet të përballen më 9 nëntor. Sipas parashikimeve, Rama ka një epërsi të vogël ndaj Çekut.

Rezultatet preliminare tregojnë se qytetarët kanë treguar një pjesëmarrje të lartë dhe gara ka qenë e ngushtë në shumë komuna, duke e bërë këtë cikël zgjedhor një test të rëndësishëm për partitë kryesore në Kosovë.