Serbia në kërkim të trajnerit të ri, emrat në garë për zëvendësimin e Stojkovic-it
Pas humbjes së dhimbshme ndaj Shqipërisë (0-1) në Leskovc, Dragan Stojkoviç “Piksi” ka dhënë dorëheqjen si trajner i kombëtares së Serbisë, duke mbyllur një cikël katërvjeçar që përfundoi me dështim të plotë. Federata Serbe e Futbollit (FSS) tashmë është në kërkim të pasuesit të tij.
Sipas medieve serbe, kupola drejtuese e FSS-së do të mblidhet të premten, dita që pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e stolit të kombëtares. Vetëm pas miratimit të dorëheqjes së ‘Piksit’ do të nisë zyrtarisht procesi për emërimin e trajnerit të ri.
Emri që përmendet më shpesh është ai i Veljko Paunoviç, trajner që fitoi Botërorin U-20 me Serbinë në vitin 2015. Ai është i lirë pas largimit nga Oviedo, por ende nuk ka asgjë konkrete. Megjithatë, ai nuk është kandidati i vetëm. Në listë janë edhe Dejan Stankoviç, Slaviša Jokanoviç dhe Marko Nikoliç, ndërsa për momentin nuk janë përmendur opsione të huaja, edhe pse kjo mund të ndryshojë.
Në ndeshjen e ardhshme ndaj Andorrës, ekipin do ta drejtojë përkohësisht trajneri i U-21, Zoran Bata Mirkoviç, ndërsa priten edhe disa ndryshime në listën e lojtarëve.
Federata serbe ka përpara një detyrë të vështirë: gjetjen e njeriut të duhur që do të rikthejë stabilitetin dhe do të përgatisë skuadrën për Euro 2028, me mundësinë për të eksperimentuar më parë në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve.