Frikë në ajër për Nigerinë, ulje emergjente e avionit ku udhëtonin Osimhen dhe Lookman
Momente paniku ka përjetuar Kombëtarja e Nigerisë gjatë udhëtimit të saj pas fitores 2-1 ndaj Lesotos, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026. Avioni i kompanisë ValueJet, me të cilin po udhëtonin lojtarët, është detyruar të bëjë një ulje emergjente vetëm 25 minuta pas ngritjes nga Luanda, për shkak të një çarje të konsiderueshme në xhamin e kabinës së pilotëve.
Në bord ndodheshin edhe disa nga ‘yjet’ kryesorë të skuadrës, si Victor Osimhen (ish-sulmues i Napolit) dhe Ademola Lookman i Atalantës, si dhe disa lojtarë të Premier League, përfshirë Alex Iwobi.
Sipas medieve nigeriane, pilotët kanë reaguar menjëherë, duke rikthyer avionin në aeroportin e Luandës për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Fatmirësisht, situata është zgjidhur pa dëmtime apo pasoja për pasagjerët dhe ekuipazhin, përveç një vonese në programin e udhëtimit.
Federata Nigeriane e Futbollit ka bërë të ditur përmes një komunikate se ekipi mbërriti në qytetin Uyo në mëngjesin e së dielës, në prag të ndeshjes së radhës kualifikuese, që do të luhet të martën ndaj Beninit.
Një incident që, për fat të mirë, përfundoi pa pasoja, por që për disa minuta shkaktoi frikë të madhe mes futbollistëve dhe stafit të Kombëtares nigeriane.