'Kosovë, pjesëmarrja e votuesve në rritje' – Arifi: Qytetarët duan zgjidhje për problemet e përditshme, jo retorikë politike

Analisti Dritëro Arifi, në një lidhje për edicionin informativ të mesditës në Syri TV, ka komentuar zhvillimet e procesit zgjedhor në Kosovë, duke theksuar se zgjedhjet lokale po zhvillohen në mënyrë të qetë dhe me pjesëmarrje të lartë, por në thelb janë “nën hijen” e garës që po përgatitet për zgjedhjet nacionale.

Sipas Arifit, partitë politike nuk e kanë përqendruar vëmendjen tek fushata lokale, pasi janë më të fokusuara në terren për përgatitjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që pritet të mbahen në fund të këtij viti.

Arifi shtoi se ndonëse ka pasur raste të izoluara të intimidimeve të panevojshme, në thelb procesi ka ecur mirë dhe ka shënuar një zhvillim pozitiv, duke pasur shumë më pak fjalor urrejtjeje se në zgjedhjet e mëparshme.

LEXO EDHE: Ku e kanë 'të sigurt' fitoren partitë në zgjedhjet lokale?

Sipas tij, Komisioni Qendror Zgjedhor ka reaguar në kohë reale ndaj çdo shkeljeje të etikës politike apo përdorimit të gjuhës së urrejtjes, duke vendosur gjoba të menjëhershme dhe duke ndihmuar në ruajtjen e qetësisë gjatë fushatës.

Deklarata e tij:

"Zgjedhjet lokale, në një farë mënyre, janë më shumë “nën hije” të asaj gare që po përgatitet për zgjedhjet nacionale, sepse po shihet se partitë nuk e kanë fokusin te zgjedhjet lokale sa për t’u parapërgatitur në terren për zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale që mund të mbahen në fund të këtij viti.

Prandaj edhe fushata ka qenë shumë e zbehtë. Në një anë ka qenë e qetë, sepse kryetarët e komunave dhe mbajtësit e posteve pretenduese për kryetarë komune kanë qenë më shumë të fokusuar në projekte, dhe i vetmi person që ka shpërndarë gjuhën e urrejtjes ka qenë zoti Kurti.

Pra, në një farë mënyre, ka pasur intimidime të panevojshme, por në thelb fushata ka shkuar në mënyrë të mirë dhe të zbehtë, duke pasur shumë pak fjalor urrejtjeje.

Gjobat janë rritur shumë. KQZ në Kosovë ka reaguar në kohë reale kur dikush ka thënë gjëra jo të vërteta apo ka përdorur gjuhë urrejtjeje. Dënimet kanë qenë të mëdha dhe të menjëhershme. Edhe partitë, nga ky aspekt, e kanë shtuar kujdesin për të shmangur etiketime të pavërteta.

Në këto zgjedhje lokale ka pasur më shumë pjesëmarrje krahasuar me vitin 2021, kur ajo ishte rreth 17%, ndërsa sot është mbi 25%. Pra, rreth 8% më shumë pjesëmarrje, dhe kjo tregon se qytetarët janë të interesuar për t’i zgjidhur problemet e jetës së përditshme, sepse këto zgjedhje janë më shumë administrative, kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe nuk kanë karakter politika madhore.

Prandaj ka një interesim të shtuar të pjesëmarrësve, siç u raportua, dhe ky është një sinjal pozitiv. Por unë mendoj se në 8 qytete gara do të jetë e fortë, ndërsa Prishtina aktualisht ka numrin më të madh të pjesëmarrësve, që kërkojnë të ndryshojnë gjendjen aktuale ose t’i japin përkrahje kandidatit që është kryetar.

Kjo tregon se zgjedhjet lokale kanë një kuptim krejt tjetër në raport me zgjedhjet nacionale".