Kosova zgjedh sot kryetarët e komunave, pjesëmarrja deri në 11;00 më e ulët se në 2021. S'raportohen parregullsi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 7.74 për qind.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, deklaroi se nuk është raportuar për ndonjë parregullsi që mund të rrezikonte votimin ose mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në konferencë për media, ka thënë se dalja deri në këtë kohë, ka qenë më e ulët sesa në zgjedhjet e kaluara lokale që janë mbajtur në vitin 2021.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga 2 milionë e 25 mijë e 105 persona që janë në Listën e votuesve, deri në orën 11:00 kanë votuar 158 mijë 691 qytetarë.
Këto të dhëna janë nxjerrë nga procesimi i 94,00 për qind të vendvotimeve.