Videoja që alarmoi rrjetet, Policia: 15-vjeçari mbante në dorë një lodër, jo armë

Një video e publikuar në rrjete sociale tregonte një të mitur (15 vjeç) brenda territorit të një shkolle duke mbajtur në dorë një objekt që ngjante me armë.

Pas publikimit, Policia e Krujës reagoi menjëherë, identifikoi të miturin dhe ushtroi kontroll në banesën e tij, ku rezultoi se objekti në fjalë ishte një lodër dhe jo armë e vërtetë.

Policia thekson se vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe falënderon qytetarët e mediat që raportojnë ngjarje të tilla në numrin 112.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë:

Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një i mitur brenda territorit të një shkolle duke mbajtur në dorë një send në dukje armë, ju bëjmë me dije se:

Menjëherë pas publikimit të videos, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë organizuan punën dhe bënë të mundur identifikimin e tij, një 15-vjeçar.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën sendin në dukje armë që shfaqej në video, e cila rezultoi të ishte lodër.

Nga ana e Policisë po kryhen veprimet në bashkëpunim me strukturat përkatëse, për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon dhe fton mediat e qytetarët që të denoncojnë rastet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.