Ne kemi aq shumë nevojë për shtetin

Siç ka mundur të arrij e të kuptojë ndoshta shumë prej nesh, të gjithë jemi deri në njëfarë shkalle bashkëpërgjegjës për qeverisjet jo të mira, megjithëse ne nuk bashkëqeverisim. Dhe sigurisht bashkëpërgjegjësia jonë përfshinë lirinë tonë që kemi, e shprehur kjo në shumë lloje lirish : lirinë e votës, lirinë e fjalës, lirinë e aksesit drejt informacioneve dhe lirinë për të dhënë informacione, lirinë e publikimit dhe shumë liri të tjera.

Ato mund të përdoren dhe siç po përdoren sot tek ne për shembull për informacione të gabuara, për ndërsime, për lajka, për presione, për përfitime, për gjithfarë interesash. Dhe çdo kufizim i lirisë mund të keqpërdoret në mënyrë tamam analoge nga fuqia shtetërore.

Ne kemi nevojë për lirinë, me qëllim që ta parandalojmë keqpërdorimin e forcës së shtetit, por ne kemi nevojë për shtetin, prandaj, duhet të bëjmë të mundur që të parandalojmë edhe keqpërdorimin e lirisë së tij. Na nevojitet një vetëdije e lartë, që ti mbrujmë mirë brenda vetes zgjidhjet e këtyre problemeve, dhe për më shumë se gjithçka tjetër në këtë drejtim na nevojitet një vullnet i madh.

Përtej egoizmit të përditshëm dhe interesave te ngushta personale dhe të grupit të gjithsecilit  duhet të kujtohemi se na duhet shteti. Përtej egoizmit të përditshëm na duhet arsyeja, kthjelltesia, racionaliteti, respekti për instrumentin e përbashkët të marrëdhënieve njerëzore.

Por ne në këtë nivel që jemi, na nevojitet njohuria se ky problem nuk mund të zgjidhet kurrë tërësisht; apo më saktë se ai mund të zgjidhet tërësisht vetëm në një organizim me plotfuqishmërinë principiale të shtetit. Ne në këtë gjendje që jemi duhet të kënaqemi patjetër me zgjidhje të pjesshme dhe me kompromise dhe nuk duhet të na prishet mendja nga parapëlqimi ynë për lirinë, që të mos i shohim problemet e keqpërdorimit të saj.

Thomas Hobbësi supozonte se pa shtetin çdo njeri është një armik potencial për vdekje i çdo njeriu tjetër (‘Njeriu është ujk për njeriun’-‘Homo homini lupus’) dhe ne na nevojitet një shtet mundësisht i fortë (jo në kuptimin autoritar, por që të funksionojnë institucionet) për t’i vënë fre krimit dhe përdorimit të dhunës, korrupsionit dhe nepotizmit, një shtet që i prinë frymëzimit të punës dhe zhvillimit.

Por fatkeqësisht na mungon shteti.

Ne kemi nevojë për shtetin e fortë shqiptar që të na administroj mirë, që të na bëj ato shërbime ndoshta edhe më të mira, se ato që u ka bërë qytetarëve shteti, që në lashtësi kur u krijua. Por ne duam aq sa është e mundur prej tij, duam të kundërtën e një shteti totalitar që kemi sot - nuk duam një shtet paternalist, autoritar, burokratik; shkurt : ne duam një shtet të thjesht, funksional dhe demokratik. Duket utopike, ideale. Dhe për fat te keq nuk ka ndodh pikërisht kështu, sepse idealet tona për të krijuar pikërisht shtetin, që të na shërbej me drejtësi te gjithëve treten në luftërat e egra për pushtet të politikanëve.

Ndoshta shumë pak njerëz e ndajnë këtë opinion me mua. Dhe është e natyrshme të mendohet kështu, sepse ka edhe faqe të errëta të jetës në botën tonë shqiptare si: kriminelë, mizori, drogë, korrupsion, banalitete etj., etj., që për fat të keq tragjik, sot janë bërë vet shteti. Ne bëjmë gabime dhe megjithëse shumë prej nesh mësojnë prej gabimeve të tyre, fatkeqësisht shumë prej nesh mbeten prapëseprapë rob të gabimeve.

Por kështu është bota jone dhe jeta e saj. Prandaj, ajo në këtë drejtim na ka vëne detyra më të mëdha. Megjithatë ne kemi mundësinë, që të jemi të kënaqur dhe të lumtur në botën e vendit tonë. Dhe kjo, patjetër duhet shqiptuar, sepse pothuajse nuk e dëgjojmë këtë, kurrë në fjalën tonë të lirë, ose e dëgjojmë pak dhe pa shumë frymëzim. Sepse na ka mbytur rutina e politikës. Në vend të kësaj përditë dëgjohen qarje dhe kuje, për gjoja botën kaq të keqe, në të cilën jemi dënuar keq të jetojmë ne shqiptarët , po të fitoj, ose të vij në pushtet pala tjetër.

Unë e konsideroj mbrujtjen e kësaj intolerance si armiqësi të vërtet, si kontributin më të madh të keq të kohës sonë, si ndikim për një terror gati psikologjik, që po kërcënon jo vetëm atmosferën tonë shoqërore, por edhe fëmijët tanë, rininë, brezat e ardhshëm dhe sigurisht arrin që t’u’ zhvasë’ atyre të drejtën për të patur shpresë dhe optimizëm.

Njeriu, sipas një përkufizimi të famshëm të Aristotelit, ‘është një kafshë politike’, në sensin që jeton brenda një dimensioni të caktuar raportesh sociale, problemesh praktike dhe dialektikash ndërpersonale. Qenia jonë zhvillohet në një botë politike: ajo komunikon, shtron çështje, kryen shkëmbime mendimesh, idesh, vendos lidhje… kësisoj e gjithë ekzistenca jonë rritet brenda ‘polisit’.  

Për këtë motiv, mendimi është përpjekur gjithmonë të kërkojë e të gjejë mënyrën më të mirë të organizimit të rrjetit të politikës, nëse ky mund të jetë vallë një shtet, i aftë e i përshtatshëm për t’i bërë qytetarët e vet të lumtur dhe të realizuar. Një pjesë e rëndësishme e diturisë perëndimore mendon se njeriu mund të synojë një stad politik plotësisht të arrirë, në rast se ekziston një organizim i përsosur i shtetit.

Sipas një ideje të tillë, ne kemi mundësi të arrijmë të Mirën, në atë shkallë që ajo është e mundshme për t’u arrirë në dimensionin tokësor, rrjedhimisht edhe të realizojmë projektet tona, vetëm në rast se përfshihemi në sferën e një përmbushjeje të plotë, brenda një bote harmonioze, të programuar gati si një makinë e pagabueshme.

Qe pikërisht Platoni p.sh. që në ‘Republikën’ e tij na dëfton modelin e një shteti të tillë ideal. Sipas mendimtarit të madh të lashtësisë, Shteti është një projeksion i shpirtit njerëzor, duke ia pasqyruar besnikërisht karakterin: ashtu siç shpirti ka tre dimensione, atë dëshirimtar, pasional dhe racional, po ashtu dhe shteti përfaqëson tre ‘grupime’ sociale: artizanët, rojtarët dhe qeverisësit, me funksione të ndryshme dhe krejtësisht të përcaktuara, përkatësisht në trajtimin e të mirave materiale, në mbrojtjen e njerëzve dhe në qeverisjen e tyre. E nëse të gjithë bëjnë detyrën e tyre, - nxjerr përfundimin ai, shteti mund të arrijë përsosmërinë e vet, duke bërë të triumfojë drejtësia, më i fismi virtyt politik.

Nën këto ndikime Augustini e përshkruan historinë e njerëzimit si luftë midis principit të mirë, shtetit të Zotit, civitas dei, dhe principit të lig, shtetit të djallit, civitas diaboli. Ne sot jetojmë në shtetin e djallit. Dhe pothuajse të gjitha teoritë e mëvonshme të zhvillimit të historisë-ndoshta me përjashtim të disa teorive më naive të përparimit-kanë të bëjnë me këtë teori manikeike të Shën Augustinit.

Në këtë mes teoritë e reja të zhvillimit i përkthejnë kategoritë metafizike apo fetare të Augustinit në një gjuhë të shkencave të natyrës apo të shkencave sociale. Kështu ato e zëvendësojnë Zotin dhe djallin me raca biologjikisht të mira dhe biologjikisht të këqija, apo me klasa të mira dhe të këqija-me proletarët dhe kapitalistët. Por kjo sigurisht e ndryshon vetëm pak karakterin origjinar të teorisë.

Në kuadrin e detyrës tonë të madhe historike për të krijuar një shtet te tillë shqiptar me një kornizë të lirë, pluraliste, nuk ka asgjë më të domosdoshme për ne sot, sesa ta edukojmë vetveten për një përqendrim, i cili na lejon që të jemi kritik kundrejt ideve tona, hapave që kemi hedhur dhe punëve gjysmake që ndoshta kemi bërë në lidhje me shtetin, por pa u shndërruar në relativistë dhe skeptikë dhe pa humbur guximin dhe vendosmërinë që të luftojmë për bindjet dhe qëllimet tona.