Shkencëtarët mund të çkodojnë gjuhën misterioze të një qyteti të humbur
Rrënojat e qytetit të lashtë meksikan Teotihuacan janë sot një atraksion i madh turistik, por 2000 vjet më parë aty jetonin mbi 125,000 banorë. Megjithatë, arkeologët nuk kanë mundur të zbulojnë shumë për gjuhën dhe kulturën e tyre, deri tani.
Dy studiues të Universitetit të Kopenhagës, Magnus PharaoHansen dhe Christopher Helmke, besojnë se simbolet në muralet dhe artefaktet shumëngjyrëshe të Teotihuacan-it përfaqësojnë një sistem shkrimi, jo thjesht zbukurime. Ata mendojnë se ky sistem lidhet me një formë të hershme të gjuhës uto-azteke, paraardhëse e nahuatl-it, gjuhës së aztekëve.
Në një artikull në Current Anthropology, studiuesit propozojnë që shkrimi i Teotihuacan-it ndante parime të ngjashme me traditat e tjera mesoamerikane, duke kodifikuar një gjuhë të identifikueshme, një paraardhëse të drejtpërdrejtë të Nahuatl-it, Cora dhe Huichol. Kjo sugjeron se aztekët mund të kenë mbërritur në rajonin afër Meksiko Sitit shumë më herët se sa besohej.
Për të deshifruar tekstet, ata rindërtuan një version të hershëm të Nahuatl-it për të kuptuar si mund të tingëllonin fjalët 2000 vjet më parë. Sistemi i shkrimit përdorte logograme (ku një figurë, si një kojotë, përfaqësonte vetë fjalën "kojotë") dhe rebuse (ku kombinimi i tingujve të simboleve formonte fjalë të reja).
Hulumtimi nuk ishte i lehtë, pasi ekzistojnë shumë pak tekste të ruajtura. Studiuesit theksojnë se zbulimi i më shumë mbishkrimeve do të ndihmonte në konfirmimin e hipotezës së tyre. Sidoqoftë, kjo është përpjekja e parë që përdor një gjuhë të përshtatur kohës për të deshifruar shkrimin e Teotihuacan-it, duke krijuar një metodë që mund të shërbejë si bazë për studime të ardhshme mbi një nga qytetërimet më enigmatike të Mesoamerikës. / Popular Mechanics - Syri.net