Para ndeshjes me Shqipërinë, Serbia ‘ngrihet në këmbë’: 200 tubime në gjithë vendin, edhe në Leskovac
Në mbi 200 zona të Serbisë po zhvillohen sot tubime në mbështetje të serbëve në Kosovë, të organizuara nga Qendra për Stabilitet Shoqëror dhe lëvizja ‘Građani protiv blokada’.
Manifestimet po mbahen në qytete dhe fshatra nga Subotica deri në Vranjë, përfshirë Beogradin, Novi Sadin, Kragujevcin, Nishin, Kruševcin, Zrenjaninin, Kraljevon dhe madje edhe në Leskovac — qytetin ku mbrëmjen e sotme do të luajë kombëtarja shqiptare ndaj Serbisë.
Sipas organizatorëve, tubimet nisin në orët 17:00 dhe 17:30. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç i ka cilësuar ato si ‘shenjë solidariteti dhe uniteti kombëtar’, me qëllim që të shprehet mbështetja për popullin serb në Kosovë dhe kundërshtimi ndaj, siç u shpreh ai, ‘bllokadave dhe dhunës politike’.
Vuçiç theksoi se ky është numri më i madh i lokacioneve ku janë organizuar ndonjëherë tubime të tilla, përfshirë edhe shumë fshatra të vogla. Ai bëri apel për ‘unitet dhe qetësi’, duke nënvizuar se Serbia duhet të ruajë stabilitetin e saj dhe të tregojë se mbështet paqen dhe bashkëjetesën.