Syri TV e nxori zbuluar edhe me emërimet nepotike/ Kryebashkiaku i PS, Edison Memolla kërkon lirinë në Apelin e GJKKO
Edison Memolla që ndonëse i dënuar prej 9 muajsh drejton ende Bashkinë e Rrogozhinës, ka ankimuar dënimin me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor, të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë në Apel. Me anë të postës elektronike është dorëzuar ankimimi nëpërmjet avokatit të tij. Më 24 janar të vitit 2025 Gjykata e Posaçme e gjeti dhe e shpalli fajtor Memollën.
Hetimet për kryebashkiakun e Rrogozhinës nisën pasi Syri Tv publikoi një audio përgjim ku siç thotë SPAK dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, duke ndikuar tek një punonjës i OSHEE, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Prokurori Edvin Kondili gjatë zhvillimit të seancave gjyqsore u shpreh se gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 Mars 2022. Përveç dënimit me 1 vit burg, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi si dënim plotësues, se për 5 vitet e ardhshme Memolla nuk mundet të mbajë asnjë funksion publik.
Tashmë në Apelin e GJKKO-së pritet të caktohet shqyrtimi i ankimit, ku nëse vendimi do të lihet në fuqi dhe do të marrë formë të prerë, Memolla do të duhet të lërë postin. Së fundmi “Piranjat” denoncuan edhe emërimet nepotike në Bashkinë e Rrogozhinës, që drejtohet nga kryebashkiaku i dënuar në Shkallë të Parë.